E Hënë, 2 Nëntor 2026

I trafikohet vajza, kërkon lirimin e tutorëve

03/03/2005  Është shumë i njohur fakti që vajzat e trafikuara pas denoncimit të tutorëve nga ana e familjarëve bien pre e tyre. Liljana Koçi u trafikua në Belgjikë, Francë, e së fundi në Itali. Në pranga për trafikimin e saj ka rënë vetëm një nga tutorët, Baftjar Gjana, ndërsa Xhevahir Lusha është shpallur në kërkim. Por, ndërsa familjarët bëjnë kallëzimin në polici dhe më pas japin deklarimet në Prokurori, para gjykatës miqësohen me familjarët e të pandehurve, paguhen prej tyre dhe, përfundimisht, ndryshojnë gjithçka. Gjykata e Krimeve të Rënda kishte kërkuar si dëshmitar kundër të pandehurve në seancën e djeshme, babain e vajzës së trafikuar. Ndërsa kërkohej jashtë sallës së gjyqit, Mustafa Koçi ishte bashkë me familjarët e të pandehurve brenda në sallë. Gjithçka doli ashtu siç edhe ishte mësuar dëshmitari. Pa thënë asnjë fjalë se çfarë bënte vajza e trafikuar dhe duke dashur të mbulojë gjithçka të thënë para Prokurorisë, Koçi i kërkoi gjykatës të linte të lirë të pandehurin Gjana. "Me këtë djalë dhe me familjen e tij, unë nuk kam asgjë. As e njoh dhe as më njeh. Për mua e lironi që sot. Mua më ka ikur vajza nga shtëpia dhe pas një muaji më mori në telefon, duke më thënë se ishte martuar me një francez. Në polici kam bërë kallëzim, por nuk kam dhënë emrat e asnjë prej të pandehurve që janë në këtë proces". Kjo ishte dëshmia e babait të penduar për kallëzimin e bërë në Prokurori, ku ishte shprehur se vajza ishte larguar nga shtapia dhe gjatë bisedave telefonike i ka thënë se vazhdonte të qëndronte në Itali, e martuar me shtetasin Xhavahir Lusha, nga Burreli. Mustafa Koçi deklaroi dje se me vajzën ka folur vetëm një herë në telefon, në mesin e vitit 2002, një muaj pasi ishte larguar nga shtëpia. Ndërsa në deklarimet e bëra në Prokurori, thuhej se kishte komunikuar disa herë në telefon. Dje, para gjykatës, babai i të trafikuarës, tha se nuk e dinte adresën e vajzës së martuar në Maqedoni, e cila dinte hollësira për largimin e Liljanës nga shtëpia.

Prova

Gjykata ka arritur të sigurojë provën e vajzës së trafikuar. Liljana është shprehur se, në Itali ka shkuar me Alma Plakun dhe Xhevahir Lusha ka qenë tutori i saj. Muajin e parë ka qëndruar në dhomë me Lushën dhe muajin e dytë është detyruar të dalë në rrugë. Liljana në sigurimin e provës është shprehur se nuk e dinte çfarë pune bënte Alma. Ndërsa, kjo e fundit e ka porositur të shkonte me të, sepse do ta mësonte se si të sillej me klientët. Kur Liljana ka mësuar se Alma punonte si prostitutë, ka kundërshtuar. Por pas kësaj ka hasur në keqtrajtime të shumta. Baftjari së bashku me Xhevahirin e keqtrajtonin, deri sa Liljana në këto kushte pranoi të punonte. Fitonte 700 mijë lireta në ditë. Fillimisht, paratë ia merrte Alma Plaku, ndërsa më vonë i dorëzonte tek Xhevahiri. Një muaj pasi kishte dalë në rrugë, Liljana shkëputet dhe në stacionin e trenit në Torino takon një djalë shqiptar, që e ndihmon për të kaluar në Belgjikë. Me të qëndron disa kohë në Belgjikë, për të kaluar më pas në Francë. Në Paris, një shtetas francez me emrin Neim Gili, e merr në shtëpinë e tij. Jeton me të një vit. Sapo ka shkuar në Francë, vajza ka shkuar në ambasadën tonë, duke kërkuar ndihmë. Në 20 shtator 2004, Liljana Koçi kthehet në shtëpi.

Denoncimi

Në datën 4 dhjetor 2001, babai i Liljana Koçit bën kallëzim për humbjen e vajzës. Në datën 17 shkurt 2001, kallëzimi penal pushohet për mungesë provash. Ndërsa në 7 tetor 2003, Prokuroria pranë Shkallës së Parë rinis edhe një herë hetimet, pasi babai i Liljanës, Muharremi, kishte marrë kontakt me vajzën, e cila i tregon gjithçka. Në 21 janar 2004, Prokuroria e Shkallës së Parë shpall moskompetencën dhe në 26 janar 2004, çështja regjistrohet te Krimet e Rënda. Liljana Koçi gjatë kohës që ka qëndruar në Itali ka komunikuar vetëm një herë me familjen, nën ndikimin e Xhevahir Lushës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›