E Hënë, 2 Nëntor 2026

Lamaj, tërhiqet mbrojtja, caktohet avokat kryesisht

03/03/2005  TIRANË – Krimet e Rënda vendosin të mos e presin më të pandehurin Altin Lamaj dhe të vazhdojnë gjykimin në mungesë të tij. Pasi ka dërguar në gjykatë me dhjetëra shkresa dore, ku shprehej se nuk dëshironte të merrte pjesë në gjyq dhe ka ndryshuar disa herë avokatët, gjykata vendosi të vazhdojë gjykimin. Dje në mungesë të avokatëve Klojda Dashi dhe Ferdinand Doja, është caktuar avokati kryesisht, Bajram Malaj. Ndërsa vetë i pandehuri, në shkresën e dërguar me anë të togës së shoqërimit, ka shprehur dëshirën për t'u përfaqësuar nga avokati mbrojtës. I caktuar nga gjykata, Malaj kërkoi kohë të njihet me dosjen penale dhe më pas të bëjë një takim me të pandehurin në dhomat e paraburgimit. Ka vendosur të mos marrë pjesë në asnjë seancë gjyqësore. Ka ardhur në gjyq vetëm në dy seancat e para, kur shoku i tij Elidon Kotorri, ende nuk ishte dënuar. Pas dënimit të Kotorrit, Altin Lamaj refuzon të marrë pjesë në gjyq, duke dërguar herë pas herë copa letre për trupin gjykues. Në të gjitha rastet gjykata është detyruar të shtyjë seancat gjyqësore, për t'i dhënë kohë të pandehurit të paraqitet në gjyq. Altin Lamaj është pronar i lokal "Venecia". Altin Lamaj akuzohet se në bashkëpunim me Elidon Kotorrin ka kryer disa vepra penale në periudhën kohore 1999–2000. Bëhet fjalë për disa vrasje që ndodhën në zonën e Tiranës së Re, ku gjetën vdekjen pesë persona. Për të njëjtat akuza, Kotorri u dënua me burgim të përjetshëm, pak kohë më parë nga Apeli. Altin Lamaj u ndalua dhe më pas u arrestua nga policia mesin e vitit të kaluar. Shkak u bë ardhja e aparatit të ri për zbulimin e gjurmëve të gishtave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›