Prona, rrahin bashkëfshatarin
03/03/2005 Motivet e pronësisë shënojnë një incident më tepër. Dy vëllezërit, Mentor e Artur Çuni si dhe kushëriri i tyre, Ismeti, kanë qëlluar me mjete të forta një bashkëfshatarin e tyre. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kasallë, mbrëmjen e së hënës, rreth orës 19.00. Tre të rinjtë, më i madhi i të cilëve është vetëm 20 vjeç, janë grindur me Përparim Ibron për motive pronësie. Ata janë konfliktuar për një copë tokë, ku të dy palët pretendonin se ishte e tyrja. Paskëtaj, duke përfituar nga fakti se ishin 3 vetë, e kanë goditur Ibron për t'i bërë presion. Pas marrjes së mjekimit, i lënduari gjendet jashtë rrezikut për jetën në banesën e tij. Ndërkaq, policia kreu veprimet në vendin e ngjarjes dhe dërgoi materialet në Prokurori. Të rinjtë do të ndiqen penalisht në gjendje të lirë. F.B