E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë po shkatërron themelet e demokracisë dhe shtetit ligjor

Nga Besar Likmeta

Iu deshën vetëm dy minuta Kolegjit Penal të mbledhur nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Becaj, për të rrëzuar kërkesën e Prokurorisë se Përgjithshme në lidhje me konfliktin e interesit te tre prej gjyqtarëve që po gjykojnë vrasjen me 700 tonë eksploziv të 26 qytetarëve në Gërdec një vit më parë.

Ky sigurisht është dhe gjykimi më i shpejtë në historinë e jurisprudencës shqiptare, por fatkeqësisht shumë i shpejtë për t’i dhënë mundësi gjyqtarëve për të lexuar ankimimin e prokurorëve që bazohej në precedentë të qartë të vendosur nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me konfliktin e interesit të një trupi gjykues.

Shumë i shpejtë dhe mospërfillës për të gjykuar se vetë ky qëndrim i mbajtur nga ky panel rrezikon dhe rrëzimin pas një ankimimi të mundshëm në Strasburg të vendimit që kjo gjykatë do të japë në lidhje me çështjen.

Prokurorët që kanë hetuar tragjedinë e Gërdecit për afro një vit kanë të drejtë të shqetësohen nga një vendimi i tillë, që nuk ka se si të jetë ligjor për vetë rekordin kohor që u mor. Problemi është që më shumë se ata duhet të shqetësohet opinioni publik, i cili kërkon drejtësi për jetët e humbura nga korrupsioni dhe papërgjegjshmëria e pushtetit.

Në seancën e dytë gjyqësore për tragjedinë e Gërdecit, e cila është hapur me kërkesën e organit të akuzës për largimin nga gjykimi të tre gjyqtarëve, kërkesa ka pasur të bëjë kryesisht me kryetarin e trupës, Besnik Imeraj.

Prokurorët në argumentimin e bërë gjatë seancës parashtruan se gjyqtari Imeraj ka lidhje me disa prej të akuzuarve dhe se vajza e tij ka qenë avokate e një prej të akuzuarve kryesorë të çështjes, Mihal Delijorgjit dhe kompanisë që merrej me demontim në Gërdec, “AlbaDemil”.

Argumenti tjetër i prokurorëve është se tre gjyqtarët, Besnik Imeraj, Imer Bala, Evgjeni Sinoimeri, kanë dhënë një vendim të mëparshëm në lidhje me një nga procedurat e prokurorisë gjatë hetimit të tragjedisë së Gërdecit.

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, që mban datën 23 prill të vitit 2008, kjo gjykatë ka vendosur që një gjyqtar i Gjykatës së Lartë nuk mund të japë disa herë vendime për të njëjtën dosje.

Megjithëse argumentet e parashtruara kanë qenë më se bindëse për prokurorët dhe për ekspertët e pavarur juridikë, ato janë hedhur poshtë nga Gjykata e Lartë pa u lexuar.

Konflikti i interesit të gjyqtarëve që po gjykojnë çështjen e Gërdecit, dhe që fatkeqësisht nuk është i qartë vetëm për ta, përbën në vetvete një shkelje ligjore që do të hidhte poshtë çdo lloj vendimi që ky Kolegj Penal do të merrte, sepse do ta bënte të gjithë procesin të paligjshëm dhe nul.

Ky vendim cenon rëndë gjyqin për tragjedinë e Gërdecit, por mbi të gjitha cenon rëndë vetë themelet e pushteti të ligjit.

Si qytetar i këtij vendi, si gjithë bashkëkombësit e mi, duhet t’i argumentoj vetes çdo mëngjes të dhënë nga perëndia që ky vend mbart akoma shpresë për drejtësi, tmerrohem që shërbëtorët tanë ligjorë nuk mund t’i japin më shumë se dy minuta të kohës së tyre krimit që mori 26 jetë njerëzish.

Tmerrohem nga frika, se ky vendim ishte i ndërgjegjshëm dhe jo rrjedhojë e paaftësisë. Më keq, dëshpërohem nga fakti që një seri vendimesh të dhëna nga gjykata më e lartë po shkatërrojnë themelet e shtetit ligjor, ndërkohë që ndjeshmëria ndaj kësaj masakre juridike është shumë e ulët.

Vetëm pak javë më parë të njëjtët gjyqtarë rrëzuan akuzat e ngritura ndaj ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, në lidhje me parregullsitë marramendëse në ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Them marramendëse, sepse, sipas vlerësimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, do “duhen 180 vjet” që rruga të justifikojë kostot e saj.

Vendimi u bazua në vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë, të marrë nga gjykatësja Fatmira Hajdari, dhe një vendim të Gjykatës së Apelit, të cilët e hidhnin poshtë çështjen, pasi, sipas tyre, arsyetonin që ishin kaluar termat kohorë të hetimit. Pak rëndësi ka që përpara se të pritej një vendim i një tjetër Kolegji Penal, i cili më vonë do i nxirrte këto vendime si jo vetëm antikushtetuese, por në kundërshtim të rendit kushtetues, Gjykata e Lartë shpall pezullimin e çështjes.

Me pak fjalë, gjykatat e Shkallës së Parë dhe Apelit morën përsipër një tagër ligjor që nuk iu takonte. Krahasimi më i afërt do ishte sikur ministri i Bujqësisë të vendoste të hapte një proces gjyqësor ndaj Presidentit të Republikës, ta shpallte fajtor dhe më vonë Gjykata e Lartë ta certifikonte këtë gjyq si të ligjshëm.

Fatmirësisht, ministri jonë i Bujqësisë nuk është aq i çmendur, fatkeqësisht, Gjykata e Lartë të lë një përshtypje të tillë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›