Të fala nga Brukseli
Dita e Evropës u festua me fjalime dhe ballonë. Ervan Fuere shpërndau broshura dhe lëshoi në eter edhe më shumë optimizëm nga sa bën Olli Rehn, sa herë që mban ndonjë konferencë për shtyp. “Ballkani Perëndimor, së shpejti në BE!” është bërë fjalia më e popullarizuar e medieve të Evropës Juglindore. Sa shpejt vërtet do të “kompletohet Evropa edhe me Ballkanin”? Në Bruksel, sipas informatave tona, mbizotëron gjithçka tjetër përveç optimizmit. “Nuk do bëjmë të njëjtin gabim si në Bullgari dhe Rumani”, - na tha një funksionar i zyrës së Solanës. E me Solanën do të takohet sot kryetari maqedonas, Ivanov. Kështu thotë axhenda e konfirmuar.
Ivanovit dhe entourages së tij do t’i përsëriten në formë kënge të njëjtat parakushte që qëndrojnë gati në çdo korrespondencë ndërmjet Maqedonisë dhe Brukselit. Cilat janë ato?
Kushti i parë: De-etnonacionalizimi i politikës
Maqedonia - përkundër dokumenteve e kushtetutave të aprovuara - në BE është në listën e atyre shteteve postkomuniste që aparatin qeveritar e ka të rezervuar për etninë shumicë dhe që etnitë e tjera i lë të marrin pjesë në pushtet vetëm në mënyrë formale. Kjo përputhet me kartat dhe dokumentet e BE, të cilat kërkojnë realizimin e një “Republike të hapur”, të ndërtuar mbi bazat e multikulturalizmit, pa diskriminime e pa privilegje etnike. Gabimin e bërë në Rumani (me hungarezët e Transilvanisë), që BE tashmë nuk ia fal vetes, nuk do ta përsërisë askund tjetër. Rumania dhe Bullgaria bënë në një afat shumë të shkurtër dokumentet e nevojshme (Kushtetutën etj.), që ua hapnin rrugën atyre për anëtarësim në Union. Vite më vonë u pa se gjithçka kishte mbetur vetëm në letër dhe se dy vendet as sot nuk janë kandidate të denja për në BE. Madje, nuk ndihmon as bllokimi i subvencioneve e as qortimet e shpeshta të komisarëve të BE që gjendja të ndryshojë diçka, përkundër premtimeve të shumta.
Kushti i dytë: Paqja dhe siguria në rajon
Pas Serbisë, Maqedonia është shteti me më shumë konflikte me etnitë dhe kulturat përreth.
“Sot krijohet shteti i parë i popullit maqedonas […] Edhe pse ky sovranitet do të festohet vetëm në një pjesë të shtetit të ligjshëm të popullit dhe kombit maqedonas, megjithatë jep shpresë se një ditë ky popull do të jetojë në një hapësirë të bashkuar kulturore dhe ekonomike […]”. Kjo fjali e Kiro Gligorovit para Kuvendit të Maqedonisë, më 27 janar të vitit 1991 (Shih: Ahil Tuntev, Republika e Maqedonisë, fq. 68), vuri themelet e një diplomacie të organizuar dhe agresive greke kundër Maqedonisë si shtet. Gligorov, nëpërmjet modifikimeve dhe mohimeve, arriti që pas disa viteve të qetësojë situatën deri diku, duke zbutur akuzat greke. Akuza që me ardhjen e Gruevskit në pushtet kanë arritur kulmin.
Greqia nuk e ka problemin me emrin, por më shumë me tendencën e Maqedonisë për ta përvetësuar atë histori, të cilën grekët e konsiderojnë si të vetën dhe mbi kapitalin e së cilës edhe sot e kësaj dite kërkojnë privilegje, kur bëhet fjalë për trashëgiminë e kulturës kontinentale. Grekët do të sabotojnë, ku të munden.
Frontin tjetër konfliktual Gruevski e hap me shqiptarët, duke ndërtuar kishë mbi shtëpinë e Nënës Terezë. Shqipëria - përkundër vullnetit të mirë - sot a nesër do të detyrohet t’i bashkëngjitet paktit me në krye Greqinë, nëse Maqedonia nuk heq dorë nga provokimet që u bën shqiptarëve vendas. BE tashmë ka reaguar për këtë disa herë duke e plotësuar katalogun e saj të kërkesave - një udhë e dy punë - edhe me “marrëveshjen që duhet Maqedonia të arrijë me Serbinë rreth Prohor Pcinski.
Kushti i tretë: Korrupsioni
Jo më ndërmjet parashtrimit të kërkesës për kandidate e deri te pranimi si anëtare duhet Maqedonia të dëshmojë se bën luftë efektive kundër korrupsionit, por para kërkesës. Kjo do të thotë që Maqedonia do të pranojë që një mision i veçantë i BE të bëjë hulumtime në relacionin shtet-korrupsion. Sa i gatshëm është Gruevski dhe partia e tij të lejojë një ekip të tillë antikorrupsion, kur ai e di se edhe privilegjimi i farefisit për të “blerë” komplekse me rëndësi ekonomike (çka në Ballkan është “pjesë tradite”) konsiderohet si korrupsion i rëndë?
Këto do të dëgjojë Ivanovi në Bruksel. Çfarë do t’i premtojë Ivanov Havier Solanës? Se do t’ua marrë të gjitha pasuritë tezakëve, dhëndurëve, vëllezërve dhe motrave të Gruevskit, pasuritë e fituara në sajë të pozitës së kryeministrit? Se do të realizojë marrëveshjen e Ohrit si hap kryesor drejt asaj “Republikës së hapur” të Imanuel Kantit? Se do ta bindë Greqinë dhe Bullgarinë se Gruevski gjithë atë fushatë disavjeçare për lashtësinë e kombit maqedonas që nga Leka i Madh e ka patur vetëm për të fituar vota e jo seriozisht?
Maqedonia e ka nisur rrugën mbrapsht për në BE. Këtë e dinë të gjithë në Bruksel dhe në Shkup.