E Diel, 1 Nëntor 2026

Mimoza Kruja: Puna në bashki me detyroi që të prisja në shtëpi Berishën

Nga Bledar Lumani

Bashkëshortja e Reshit Krujës, i cili gjeti vdekjen në tragjedinë e Gërdecit, deklaroi se kryeministrin Berisha e priti për faktin se një gjë të tillë ia kishte kërkuar nënkryetari i Bashkisë së Vorës, Aqif Muça. Mimoza Kruja është punonjëse e pastrim-gjelbërimit në këtë bashki dhe, nëse nuk do të kishte pritur për vizitë kryeministrin, ajo thotë se do të ishte pushuar nga puna, duke humbur kështu të ardhurat e vetme me të cilat mban tre fëmijët jetimë. Ndërkohë, ajo është shprehur e irrituar ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili nuk denjon që të marrë pjesë në sallën e gjyqit. “Nënkryetari i bashkisë, Aqif Muça, më tha që “kryeministri Berisha do të kryejë një vizitë në Vorë dhe ka planifikuar që të vijë dhe në shtëpinë tënde.” Të urdhërojë, i thashë, qoftë kryeministri, qoftë kushdo tjetër. Dera ime është e hapur për të gjithë. Në shtëpi unë do të pres qoftë mikun, qoftë armikun. Kjo është traditë e shqiptarëve”, - thotë Mimoza. Kjo e fundit u vizitua në shtëpi dy ditë më parë nga kryeministri Berisha, në kohën kur në media kanë dalë fakte që lidhin djalin e tij me Mediun dhe Delijorgjin, të cilët akuzohen dhe si përgjegjësit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit. Gjatë vizitës së tij, Berisha i premtoi familjes Kruja një kompjuter, gjë që në fakt ka ndodhur ditën e djeshme. Vizita e kryeministrit në fakt ka qenë e panjoftuar dhe në të nuk kanë marrë pjesë kamerat dhe gazetarët. Sakaq, Mimoza, e cila është një prej 26 personave që kanë bërë një padi civile ndaj shtetit për tragjedinë, shprehet e irrituar ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i cili, edhe pse akuzohet si një prej përgjegjësve kryesorë të tragjedisë, nuk denjon të marrë pjesë gjatë seancave gjyqësore që po zhvillohen në Gjykatën e Lartë. Sipas saj, për të më e rëndësishme është fushata elektorale sesa fati i 26 personave që gjetën vdekjen në shpërthimin e 15 marsit në Gërdec. “Në sallën e gjyqit paraqiten vetëm avokatët. Kur një person është i akuzuar, përse të mos paraqitet në sallën e gjyqit, apo se është njeri me post dhe nuk është si ne njerëzit e thjeshtë? Fatmir Mediu pse mos të paraqitet në sallën e gjyqit, por përfaqësohet nga dy avokatët e vet, ndërkohë që ai vetë shkon dhe bën fushatë? Pak më parë e pashë që ishte në Laç. Të na japë një shpjegim, është apo jo fajtor dhe të paraqitet në gjyq”, - thotë Mimoza. Kjo e fundit jeton vetëm me rrogën prej 150 mijë lekësh të vjetra që merr në Bashkinë e Vorës dhe 75 mijë lekë të vjetra që përfiton vajza e mitur, pas humbjes së të atit në tragjedinë e Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›