E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri, projekt me Fazlliçin për të ndihmuar fondacionin e Liri Berishës

Nga Antena brenda familjes

Megjithëse ekipi i Milanit e zbatoi një për një marrëveshjen me “Taçi Oil” duke i lënë ekipit rezervë të Shqipërisë t’i bënte tre gola, përsëri qëllimi i vizitës nuk u realizua. Flamurit ia kishte mbushur mendjen top ai Taçi që sa të vinte Milani, do harroheshin tabulatet e Shkëlzenit me Delijorgjin, faturat e kripura të Argitës dhe gjithçka tjetër. Po në fakt s’e kishte ngrënë njeri. Prapë gazetat vazhdonin me tabulatet. Flamuri u mundua të nxirrte dhe këtë zëdhënësen e re të PD, që ka qejf t’i thërrasë “Ceca”, se i ngjan këngëtares serbe që ka qenë e martuar me Arkanin, por prapë s’u bë gjë. Në fund u kujtua për Fazlliçin. E kishte parë në drekë të futej në një pallat gjashtëkatësh te Pazari i Ri, i shoqëruar nga një djalë i pashëm. Ndenjën nja një orë brenda dhe dolën të kënaqur që andej. Flamuri ishte ulur te një kafe me emrin “Jezerca” përballë pallatit, fare rastësisht, kur e pa. Zgjedh këto kafenetë me emra vendesh nga Tropoja këtë javë, sa të dalë lista e deputetëve, se i duken si kafe me tematikë.

Sa e pa Fazlliçin, u kujtua. Ky mund të na shpëtojë sot. Thirri menjëherë avokatin e tij, Gencin.

- Ma përkthe pak, - i tha, - se na duhet shumë sot.

- Patjetër, jemi gati të bëjmë ç’të doni, - tha Genci.

- Kam fol me atë burrin dhe na duhet një lajm kundër Mero Bazes patjetër. Duhet t’i mbushim mendjen popullit që dokumentet që ka botuar ai për Shkëlzenin dhe Argitën janë njësoj ai ato që ka botuar për Fazlliçin, që prokuroria ia mbylli çështjen. Futi dhe atë që e keni hedhur në gjyq në Londër.

- Dakord, e themi, - tha Genci, - po në Londër nuk po na e hap njeri gjyqin, se s’ka juridiksion gjykata angleze të hapë gjyq për një çështje që diskutohet në Shqipëri.

- Nuk merr vesh njeri nga këto këtu, po futja. Madje, për mua thoni që jo vetëm u hap gjyqi, por dhe u bë dhe mbaroi. Madje, futja që ky dhe u dënua me gjobë 500 mijë paund.

- Jo, se është shumë, - tha avokati i Fazlliçit. - Ta lëmë 50 mijë, se boll është.

- Shumë mirë, lëre 50 mijë. Mjafton të thuhet që u dënua, se na nxiu jetën.

- Prit pak t’ia përkthej Fazlliçit, - tha avokati dhe filloi t’ia përkthente. Fazlliçi qeshte, pasi akoma nuk i kishte ikur e kuqja nga fytyra, që kur kishte dalë nga dhoma me atë djaloshin e pashëm që mban nga pas.

- Shumë mirë, shumë mirë. I them të gjitha. Madje mund të them dhe që e kemi ftuar të vijë në Londër, po s’ka dashur. Ah, sa mirë, sa mirë! Prit pak. Të them dhe që ato lekë do t’ia japim fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” të Liri Berishës, se dukemi dhe humanë?

- Shumë mirë, - tha Flamuri. - Dhe këtë thuaje. Nejse, mos e thuaj këtë të fondacionit, se aq do ai, dhe thotë që edhe këto lekë prapë mamasë së Argitës do t’ia japësh. Për mua mund të shtoni dhe që është i kërkuar nga Interpoli për këtë çështje. Se e rregulloj unë me Qukapin, që po e pyetën gazetarët, të thotë ai që është e vërtetë. Se ai merret me këto çështje. Dhe kur na kapin ndonjë me drogë nga këta të ambasadave, ai i fsheh lajmet. Në këtë rast le ta konfirmojë.

- Shumë mirë, - tha Fazlliçi. - Çfarë do Salli tjetër të them? Të gjitha i them. Mjafton të pushojë kjo zhurma. Argita ishte mërzitur keq. Dhe s’ka faj. Kishte thënë ky Mero Baze që ka dashur t’i shesë tokën e Fazlliçit një arabi. Ajo s’është toka ime, është tokë e saj. Shiko çfarë mashtruesi që është! Dhe e di shumë mirë që është toka e Argitës, dhe shpif që është imja. E ka botuar vetë prokurën që të drejtat mbi atë pronë i ka të gjitha studioja “Kola & Malltezi”. ǒdo tjetër. Nëse i ka të gjitha të drejtat, ka pronën. Ai e di shumë mirë këtë dhe kërkon të më njollosë mua emrin, thotë është tokë e Fazlliçit.

- Të drejtë ke, - tha Flamuri. - Çfarë s’ka thënë për ty. Sikur ke transferuar nja dy milionë euro nga Zvicra këtu dhe i ka tërhequr Argita nga llogaria jote.

- Po pra, më thanë. Prapë shpif. Ato janë paratë e saj. I merr kur të dojë, unë emrin kam. Pse, atë do pyes unë pse i kam dhënë gjithë të drejtat asaj të shesë e të blejë pronat e mia, të tërheqë paratë e mija e gjithçka tjetër? Ne jemi një familje, unë jam djalë i shtëpisë atje. Pse me atë do ndaj gjëra unë?

- E di, e di, - tha Flamuri. - Ore më vjen inat pse shpifin që thonë janë të tuat, kur nuk janë të tuat, janë të asaj.

- Të ka shkuar mendja mirë që ta hapim fjalë sikur e kemi hedhur në gjyq, - tha Fazlliçi. - Se dhe atëherë kur thirrën Flutura Kolën në prokurori, kështu e bëmë. I futëm një lajm që e kam hedhur unë në gjyq dhe të gjithë u morën me atë lajm. Ndoshta merren dhe nesër me atë punë.

- Shpresoj të merren, - tha Flamuri, - se na mbyti me ato letrat që dalin përditë. S’më zë gjumi natën dhe dal bëj xhiro para pallatit. Kam dhe Fahri Balliun në pallat dhe shpesh takohemi në mesnatë para pallatit duke shëtitur. Ja, këtë muhabet kemi. Këtë hall që na ka gjetur. Ishallah na jep një dorë sot, se nesër gjejmë ndonjë gjë tjetër.

- E ke të mbaruar, - tha Fazlliçi. - Më 6 po e lë te “Sheraton”-i. Le t’i lajmërojë mediet ajo “Ceca”, - tha dhe qeshi. - Ah sa më pëlqen ky emër! E kam shumë mikeshë Cecën e vërtetë. Kam pas shumë mik Arkanin. I kemi shitur armë me Lazareviçin, ortakun tim. Na e vranë nëpër duar. Dhe na hëngrën në të pabesë. Ah, Ceca, Ceca, sa mirë ia keni gjetur këtë emër! Po këtë Arkanin tuaj s’po e njoh, - tha dhe qeshte me të madhe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›