Shkëlzen Berisha kishte “ngritur” zyrë në Ministrinë e Mbrojtjes
Djali i kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha, kishte de facto një zyrë të tijën në Ministri të Mbrojtjes nga marsi i vitit 2007 deri në mars të vitit 2008. Dëshmitë autentike të marra nga sekretaret e ministrit të Mbrojtjes e faktojnë një gjë të tillë.
Ndërkohë, pesë nga shumë biseda që janë bërë mes zotit Shkëlzen Berisha dhe drejtuesve të tjerë të ministrisë, duke përfshirë dhe ministrin e Mbrojtjes, janë të incizuara dhe së shpejti mund të bëhen publike.
Gazeta boton sot të dhëna nga dy blloqe të përdorura gjatë vitit 2007 dhe 2008 nga sekretaret e ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që kanë lidhje me takimet që Shkëlzen Berisha bënte në këtë ministri.
Blloqet janë sekuestruar nga Prokuroria e Përgjithshme menjëherë, për shkak se mund të bëheshin ndryshime në to. Në to janë të dokumentuara të gjitha vizitat që djali i kryeministrit bënte në ministri. Në gazetë po botojmë disa nga shënimet që tregojnë për praninë e djalit të kryeministrit në zyrën e Mediut.
Në bllokun e parë (FAKSIMILE 1) janë të mbajtura shënim takimet që ka bërë në zyrën e Mediut djali i kryeministrit gjatë periudhës janar-mars 2008, pra në periudhën pak para dhe pas tragjedisë së Gërdecit. Në fakt, në janar dhe shkurt Shkëlzeni nuk shfaqet shumë në zyrën e Mediut, por ajo çka bie në sy është që Shkëlzeni shkon në zyrën e Mediut më datë 17 apo 18 mars (kjo nuk është e specifikuar mirë në bllok), vetëm pak ditë pas tragjedisë së rëndë.
Ndërsa në bllokun e dytë (FAKSIMILE 2) janë të shënuara takimet e bëra në zyrën e ministrit të Mbrojtjes gjatë periudhës prill- gusht 2007, kur dhe Fabrika e Vdekjes kishte nisur punën.
Siç mund të shihet nga blloku dhe nga datat e mbajtura shënim, Shkëlzen Berisha ka patur një periudhë intensive takimesh me Mediun gjatë korrikut 2007. Më saktë, ai ka qenë për katër ditë rresht në zyrën e tij, në datat 17, 18, 19, 20 korrik 2007.
Shkak për këto vizita të shpeshta janë bërë disa probleme që po haste punishtja e Gërdecit dhe kompania “AlbaDemil” për t’u furnizuar me municion. Ngarkesat që mbërrinin aty nuk ishin të mëdha dhe firma ankohej për një gjë të tillë. Për këtë arsye, djali i kryeministrit kërkonte nga Mediu që të rritej sasia e ngarkesave për në Gërdec. Mësohet se repartet ushtarake kishin nisur të kundërshtonin një gjë të tillë.
Faktet e publikuara së fundmi në media e zhysin katërcipërisht djalin e kryeministrit në aferën e Gërdecit dhe provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se ishte ai personi që loboi për këtë kontratë dhe që u kujdes për të deri në fund.
Të tjera fakte do të publikohen në ditët në vijim, fakte që rëndojnë akoma më shumë pozitën e Shkëlzen Berishës.
Një ditë më parë gazeta “TemA” publikoi dëshminë e ish-sekretares së ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçi, e cila deklaronte se faksi i famshëm, ku ministri i raportonte Shkëlzen Berishës, është nisur nga ajo me porosi të ministrit Bumçi. Ky i fundit doli dje në një konferencë për shtyp dhe tha se do e padiste për shpifje ish-sekretaren e tij që e kishte mbajtur në punë që nga periudha e socialistëve. Bumçi sërish tha se nuk është shkrimi i tij ai në faks, por nuk u mor me faktin kryesor, nisjen e faksit nga zyra e tij, pavarësisht se kush mund ta ketë bërë shënimin.
Nga ana tjetër, një dëshmi e sekretares së Ministrisë së Mbrojtjes në atë kohë thekson se protokollimi i faksit është bërë në emër të Shkëlzen Madanit, në atë kohë zyrtar i lartë i MB.
Kjo për shkak se në ministri nuk e dinin që kishte zyrtarisht një Shkëlzen Berisha si punonjës.
Ja biseda e përgjuar e Delijorgjit, ku flitet për bashkëpunimin me Fahri Balliun
Zbardhja e telefonatave që ka bërë i akuzuari kryesor për Gërdecin, Mihal Delijorgji, nxjerr në pah lidhjet e tij të ngushta me botuesin e gazetës “55”, Fahri Balliu, njeriun e afërt të kryeministrit Sali Berisha.
Bashkë me të ata kishin ngritur një kompani, e cila tashmë është sekuestruar nga prokuroria. “Trans Digging Construction” ishte në bashkëpronësi të Mihal Delijorgjit dhe vajzës së Fahri Balliut. Siç provojnë dokumentet e botuara dhe më parë në gazetën “TemA”, ishte kjo firmë që nisi punimet pa leje në Gërdec. Balliu kishte deklaruar të kundërtën, se firma e vajzës së tij nuk kishte kryer asnjë ditë punë.
Në bisedën e përgjuar mes Mihal Delijorgjit dhe bashkëshortes së tij (FAKSIMILE 3) del emri i Fahri Balliut. Tashmë Delijorgji është në pranga, dhe ajo çka i intereson është lënia e porosive për të shoqen për të mbyllur meselenë e krijuar. Dhe Balliu është ndër personat tek i cili beson.