E Diel, 1 Nëntor 2026

Një gisht i prerë dhe një orgji me qofte

Nga Enver Robelli

1. Shekulli xixë

Shikuesit e televizioneve në Ballkan janë mësuar dhe kalitur me pamje të llojllojshme dhe me gabime gazmore të moderatorëve apo gazetarëve. Për shembull ka ndodhur që veteranët e UÇK janë prezantuar si “veterinarë të UÇK”; ka bërë vaki që në vend që të thuhet “diplomatët do të dorëzojnë letrat kredenciale” kemi dëgjuar që ambasadorët do të dorëzojnë “kredencialet letrare”; po ashtu është ngatërruar fjala recesion (rënie ekonomike) me recension (paraqitje kritike e një libri); të mos flasim këtu për përzierjen e fjalës “status” (gjendje, situatë e atypëratyshme) me “statut” (rregull, rend, normë) - kryesisht nga ana e politikanëve të Kosovës. Ngjashëm është puna edhe me fjalët “kontekst” (rrethi i ngjarjeve a rrethanat, në të cilat zhvillohet ose përfshihet diçka) dhe “kontest” (ngatërresë, ndërlikim). Një lajthitje tjetër simpatike është kur moderatorja i keqlexon numrat romakë, për shembull në vend që të thotë “Shtylla e Katërt (IV) e UNMIK”, shprehet kështu: “Shtylla “iv” e UNMIK”. Ose kur shekulli XIX (19) lexohet si shekulli “xix”, pra njëqindvjeçari i parakaluar prezantohet si “xixë”, si thërrmijëz e zjarrtë dhe e ndritshme që shkëputet nga diçka që digjet.

2. Gishti në gojë

Në Serbi këto ditë ka bërë vaki diçka edhe më ekstreme. Në lajmet e televizionit B92 u shfaq Zoran Bulatoviç, ish-punëtor i një fabrike të tekstilit në Novi-Pazar, dhe e futi në gojë gishtin e tij të përgjakur, të cilin e kishte prerë pak më parë. Kronika u ndërpre dhe publiku nuk e mori vesh, nëse Bulatoviç vërtet e kishte ngrënë gishtin e tij, siç dhe kishte kërcënuar. Shikuesit në Serbi kanë parë shumëçka në televizion - ekspozime të jetës private, fyerje të rënda dhe politikanë të dhunshëm. Skena me Bulatoviçin ndërkaq i kalonte të gjithë kufijtë e deritanishëm. Bulatoviç thotë se nuk është kanibal. Me këtë aksion brutal ai kishte dashur të tërhiqte vëmendjen e opinionit ndaj gjendjes së vështirë të punëtorëve të tekstilit në Novi-Pazar. Fjala është për katër mijë ish-punëtorë të fabrikës “Rashka”, të cilët që nga viti 1993 nuk i kanë marrë rrogat e tyre. Bashkë me disa ish-kolegë të punës Bulatoviç ka hyrë në grevë urie dhe ka kërcënuar se ata çdo ditë do të presin nga një gisht, derisa qeveria në Beograd t’i trajtojë seriozisht kërkesat e tyre dhe të paguajë rrogat. “Ata atje lart në pushtet nuk e dinë se çfarë do të thotë të jetosh 15 vjet pa rrogë”. Fabrika e tekstilit “Rashka” deri në fillim të viteve ‘90 ka qenë ndër punëdhënëset më të mëdha në Sanxhak, një regjion etnikisht i përzier me shumicë myslimane në zonën kufitare mes Serbisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Pas shkatërrimit të Jugosllavisë u rrënua edhe ekonomia. Klasa punëtore u detyrua të fitojë bukën e gojës në ekonominë joformale, të nëndheshme, duke falsifikuar prodhime tekstili. Thuhet se mes Vjenës dhe Stambollit “jeans”-et më së miri falsifikohen në Novi-Pazar. Por as ky zell i zejtarëve të Novi-Pazarit nuk bën punë tashmë. Edhe Ballkani prej vitesh përmbytet me tesha të lira nga Kina. Në dy dhjetëvjeçarët e fundit në Serbi kanë munguar investimet në sektorin e tekstilit, që dikur ka qenë ndër shtyllat e ekonomisë. Shteti ka pasur punë të tjera: për shembull, ka zhvilluar luftëra ose i ka vajtuar humbjet. Shpesh nuk ka pasur as pará dhe as vullnet për investime.

3. Protesta drastike

Tani situata është alarmante. Kriza ekonomike botërore ka përfshirë edhe Serbinë. Qeveria ka miratuar masa të ashpra kursimi, me qëllim që të evitojë falimentimin. Të prekura nga këto masa janë sidomos regjionet ekonomikisht të prapambetura, si Serbia Jugore (rrethina e Leskovcit) dhe Sanxhaku, të cilat prej vitesh po shpopullohen. Greva e ish-punëtorëve të fabrikës “Rashka” ka shqetësuar politikanët serbë në pushtet. Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Rasim Lajiç, i cili rrjedh nga Novi-Pazari, i ka lutur punëtorët të heqin dorë nga format drastike të protestës. Disa prej tyre kanë kërcënuar se do të marshojnë bashkë me familjet drejt Beogradit. Senada Rebronja, nënë e tre fëmijëve, ka thënë: “Ne nuk kemi pará as për t’i ushqyer fëmijët tanë dhe për të paguar energjinë dhe ujin. Qeveria duhet të na ndihmojë”. Punëtorët i kanë kërkuar të drejtat e tyre edhe përmes gjyqeve, të cilat kanë vendosur në favor të tyre, por përgjegjësit e fabrikës “Rashka” nuk kanë gjetur mundësi t’ua paguajnë rrogat. Mjekët në Serbi tashmë kanë tërhequr vëmendjen nga rreziku i aksioneve ekstreme të shprehjes së protestës. Sipas tyre, shumë njerëz e kanë humbur shpresën se do të përmirësohet standardi i tyre jetësor. Ata ndihen edhe më të pafuqishëm për shkak se kriza tani ka marrë përmasa globale. Zyrtarisht papunësia në Serbi sillet rreth 20-përqindëshit, por në rajonet e pazhvilluara ajo është dukshëm më e lartë. Në një studim të Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), një organizatë joqeveritare me seli në Berlin, theksohet se shkatërrimi i industrisë së tekstilit në Serbi nuk është pasojë e globalizimit, por e përtacisë së drejtorëve të fabrikave dhe mungesës së një politike serioze ekonomike. Prej 17 fabrikave të tekstilit në këtë qytet dhjetë prej tyre nuk janë privatizuar ende, por as nuk kanë falimentuar. Në zyrat e tyre kalojnë kohën drejtorët dhe një grusht punëtorësh, të cilët prej vitesh nuk kanë marrë rroga.

4. Këmisha nga Leskovci

Dikur ka qenë ndryshe. Në vitin 1860 Leskovci ishte për nga madhësia qyteti i dytë pas Beogradit në Serbinë e atëhershme. Në këtë rajon rritej mirë një bimë që te serbët njihet si “konoplje”, te shqiptarët “konopi” dhe në vokabularin e sotëm ndërkombëtar si “kanabis” ose “marijuanë”. Prej kësaj bime në atë kohë prodhoheshin këmisha. Vetëm në vitet 1870 nga Leskovci në mbarë Serbinë dhe gjetiu në rajon ishin shpërndarë 150 mijë ngarkesa me këmisha. Në vitin 1878 ky qytet u shkëput nga Perandoria Osmane dhe nga tregu i madh ballkanik. Por familjet e pasura të Leskovcit gjetën zgjidhje, duke blerë makina tekstili në Bullgari e Gjermani. Në vitin 1922 familja Teokareviç hapi një fabrikë për përpunimin e pambukut. Sipas të dhënave të Iniciativës Evropiane për Stabilitet, fabrikat private të tekstilit në Leskovc në vitin 1938 punësonin 2.560 punëtorë. Me ardhjen e komunistëve në pushtet familjet e pasura u shpronësuan dhe fabrikat e tyre tashmë i takonin “popullit punonjës”. Ky sistem funksioni me decenie falë tregut të madh jugosllav dhe eksportit modest, por edhe kredive nga shteti, në fund dështoi, sepse asnjë fabrikë nuk mund të mbijetojë me injeksione financiare nga shteti.

5. Qofte për barkmëdhenjtë

Derisa punëtorët e tekstilit në Leskovc presin ditë më të mira dhe kolegët e tyre në Novi-Pazar janë të shtyrë të bëjnë grevë urie dhe të protestojnë me metoda drastike, duke prerë gjymtyrët e trupit, pushtetarët edhe në situata të rënda ekonomike ia gjejnë çarenë vetes. Para disa javësh në gazetat serbe u botua një lajm, i cili tërhoqi vëmendjen edhe të medieve perëndimore. Njoftohej se pronari i qebaptores së quajtur “Kod Jonuza” (“Te Jonuzi”) kishte paditur Gjykatën Komunale të Novi-Pazarit, për shkak se punëtorët e saj në periudhën kohore nga shkurti 2004 deri në shkurt 2008 në restorantin e tij të njohur kishin ngrënë hiç më pak se 600 mijë qofte - dhe nuk kishin paguar asnjë. Përfaqësuesja juridike e komunës, Hedija Shkrijel, (Shkreli?) i ka deklaruar gazetës “Danas” të Beogradit se pronari i qebaptores ia ka dorëzuar gjykatës komunale faturat origjinale prej 65 mijë eurosh. Ajo ka paralajmëruar ankesë, duke shprehur tërthorazi habi se si ka qenë e mundur që zyrtarët e komunës së Novi-Pazarit të kenë ngrënë aq shumë qofte. Orgjia me qofte nuk ka qenë keqpërdorimi i vetëm në Novi-Pazar. Ndërkohë është konstatuar se zyrtarët në llogari të komunës kanë ngrënë mantija dhe i kanë prerë flokët te frizeri. Një pjesë e madhe e plaçkitjeve të arkës komunale ka ndodhur gjatë sundimit të prefektit Sulejman Ugljanin. Tani ky politikan është ministër pa portofol në qeverinë e Serbisë. Nuk ka informata, nëse Ugljanin dhe suita e tij e pangopshme kanë vazhduar të ushqehen edhe nëpër lokalet e Beogradit si dikur “Kod Jonuza” në Novi-Pazar. Të gjitha këto na bëjnë të pyesim: Si mund të jetë puna e qofteve në Kosovë? Sa copë mund të kenë ngrënë deri tani pushtetarët dhe opozitarët - dhe sa kanë paguar? Nejse! Me çikërrima të tilla nuk merret kush në këtë vend, sepse pronarët e qebaptoreve në Kosovë as që guxojnë t’i numërojnë qoftet, kur në lokalet e tyre hyjnë disa politikanë me truproja, të cilët kinse me pahir e heqin setrën. Dhe çka sheh pastaj qytetari në brezin e tyre? Natyrisht një allti me tytë të gjatë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›