Gjykata e Larte pozite-opozite debat ne Komisionin e Ligjeve

Gjykata e Lartë ka rikthyer sërish debatin mes ligjvënësve demokratë dhe atyre socialistë në Komisionin parlamentare të Ligjeve. Gjatës eancës së sotme Partia Socialiste ka kërkuar ndërprerjen e diskutimeve për Gjykatën e Lartë deri në pritje të vendimit të mazhorancës për ndryshimet kushtetuese.
“Nuk mund ta bëjmë këtë debat pa përfunduar procesi i ndryshimeve kushtetuese. Nisma jonë ka lidhje me amendamentet e imunitetit dhe emërimet e gjyqtarëve. Ne nuk kemi bërë diskutim në parim për ligjin. Gjykata e Lartë mbetet thelbësore dhe reformimi i saj është i mirëpritur dhe gjithashtu edhe iniciativa e mirë”, u shpreh deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj.
Nisur nga ky qëndrim, përfaqësuesit demokratë në komisionin ka akuzuar sërish opozitën se po bllokon miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë.
Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi, duke e cilësuar ligjin si kyç për integrimin e vendit theksoi se miratimi i tij duhet bëhet brenda muajit shtator. Gjatë raportimit në komision, ministri Halimi theksoi se “Partia Socialiste po bllokon Gjykatën e Lartë dhe atë Administrative përmes demagogjive”. Për këtë arsye, ai kërkoi nga deputetët e mazhorancës t`i drejtohen Konferencës së Kryetarëve, për t`i dhënë një zgjidhje këtij ngërçi.
Në të njëjtën linjë u shpreh dhe kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili i mëshoi fakti se PS kërkon të bllokojë miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë dhe heqjen e imunitetit.
“Deputetët e PS-së kërkuan të bllokohet shqyrtimi i ligjit për Gjykatën e Lartë. Opozita do të bllokojë Gjykatën e Lartë, heqjen e imunitetit dhe Kushtetutën. Qëndrimi i PS-së, pasi opozita po kërkon heqjen nga kalendari të ligjit për Gjykatën e Lartë”, vlerësoi ai.