E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha Ky eshte mandati i transformimit real te vendit

Kryeministri, Sali Berisha ka hapur mbledhjen e radhës të grupit parlamentar të PD-së me një përshëndetje për të gjithë ligjvënësit demokratë dhe zgjedhësit e tyre. Në këtë përshëndetje kreu i mazhorancës paralajmëroi zhvillimin e një fushate elektorale me energji të fuqishme, duke e sjellë  në një format të ri. Ndërkohë që sistemi arsimor, zhvillimet ekonomike, kufizimi i imunitetit dhe përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur e Kosovës ishin  pjesë e fjalës së Kryeministrit në këtë takim.  “Përshëndes ju dhe zgjedhësit tuaj dhe shpreh bindjen se energjitë e ripërtërira të kësaj vere do të jenë energji të fuqishme të fushatës së ardhshme elektorale. Energji më të cilat do të zhvillojmë më të bukurën, më intensiven, më të gjerën e të gjitha fushatave që kemi zhvilluar deri më sot”, vuri në dukje Berisha.  Njëkohësisht, në këtë takim të radhës me deputetët e PD-së, Kryeministri evidentoi arritjet e këtij mandati qeverisës.   “Asgjë nuk i shëmbëllen më shumë ky mandat sesa një peme që jep frutat e saj. Në të gjitha zonat tuaja elektorale kudo që ju shkoni paraqitni projektet e realizuara dhe të atyre që janë në përfundim, pasi ky mandat ishte mandati i transformimit real të vendit”, deklaroi Berisha.
Urimi për nxënësit Starti i vitit të ri shkollor ishte arsyeja për të cilën kreu i qeverisë pas mesazhit të urimit garantoi mbështetjen e plotë të qeverisë në politikat arsimore.  “Uroj sot nga zemra të gjithë fëmijët e Shqipërisë, nxënësit, mësuesit, prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor. Sukses, shëndet e mbarësi për të gjithë ju. Arsimi do të ketë mbështetjen e plotë të qeverisë. Në këtë funksion do të ketë ligj të ri për investimet në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Arsimit. Synojmë drejt mësimdhënies dixhitale”, vuri në dukje Berisha. 
Zhvillimi ekonomik Në vlerësimin e kreut të mazhorancës ekonomia shqiptare është një ekonomi suksesi. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri argumentoi lidhur me rritjen ekonomike në jo pak sektorë të vendit, rritje këto pa ndikuar në rritjen e borxhit publik. “Ne investojmë, por i jemi përmbajtur një rregulli me vendosmërinë më të madhe. Nuk kemi marrë nga 2005 e deri më sot qoftë dhe një qindarkë të vetme përveç investimeve në infrastrukturë. Në po investojmë në nevojat bazë të vendit. E vërteta është se megjithëse këto investime kanë qenë ndër më të lartat, qeveria ka pasur nën kontroll borxhin, duke mundësuar që ai të qëndrojë në zonën jeshile”, deklaroi Kryeministri Berisha.  
Kufizimi i imuniteti Kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës parlamentare që të votojë në Kuvend kufizimin e imunitetit, përpara përfundimit të afatit kritik. Kjo pasi në tetor publikohet raport-progresi i BE-së, ku mosbotimi për imunitetit do të ishte një pengesë për një përgjigje pozitive mbi kërkesën për statusin e vendit kandidat. “Kjo nismë që PD ka luftuar 10 vite më radhë nuk ka asnjë qëllim për fitimin e kapitalit politik. Vendosmëria për heqjen e tij nuk kanë të bëjnë aspak me përpjekjen tonë për këtë qëllim. Nuk kemi kushtëzuar heqjen e tij me rrugën e heqjes së tij. Ne thamë t’i drejtohemi sovranit, pasi PS në 6 gusht refuzoi ta votojë atë në Kuvend. Tashmë meqë PS deklaron se është gati të votojë kufizimin e imunitetit dhe duke qenë se shtatori është afati kritik, u bëj thirrje që të gjejmë mundësitë në afrimin e datës së votimit në Kuvend. Në rast se në nuk heqim imunitetin, mendoj se kombet e tjera kanë arsye të tremben nga ne. Sepse në të gjithë problematikën e BE padiskutim që lufta kundër korrupsionet është prioritet. Përpjekja jonë është për një Shqipëri pa zyrtarë imunitarë”, deklaroi Berisha gjatë fjalës së tij. 
Heqja e pavarësisë së mbikëqyrur në Kosovë Një moment jo pak i veçantë në fjalën e kreut të mazhorancës ishte dhe simbolika që mbartin në vetvete këto dy ditë për shtetin e Kosovës. Përmbyllja e pavarësisë së mbikëqyrur, në vlerësimin e Berishës është një arritje historike për të gjithë shqiptarët.   “Heqja e pavarësisë së mbikëqyrur është një arritje historike kjo e qytetarëve të Kosovës, në ndërtimin e një demokracie të plotë. Kjo përbën një ngjarje madhore për shqiptarët kudo që janë dhe për popujt e tjerë të rajonit”, u shpreh Berisha.   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›