Gjykata e Lartë, pranohen dy nga propozimet e PD-se
Grupi i ekspertëve pranë presidentit ka përfunduar shqyrtimin e kandidaturave për gjykatën e lartë. Ata kanë marrë parasysh dy nga kriteret e paraqitura nga Grupi Parlamentar i PD-së sa i përket deklarimit të pasurive dhe integritetit moral. Ndërkohë ekspertët janë në pritje të propozimeve nga partitë e tjera politike.Sipas Presidentit Topi, Gjykata e Lartë ndodhet në krizë të vështirë institucionale dhe kushtetuese e cila ka çuar në mos funksionimin normal të saj. “Kjo situatë është krijuar nga një numër i lartë vendesh vakant në Gjykatë dhe i vonesave të shkaktuara nga procesi i zvarritur i votimit të dekreteve në Kuvendin e Shqipërisë” – thuhet në një deklaratë të bërë publike para disa ditësh nga zëdhënësja e presidentit, Mimoza Koçiu.
Kandidatët për Gjykatën e Lartë të dekretuar nga Topi para dy javësh nuk kanë marrë aprovimin e parlamentit dhe Grupi i PD-së ka kërkuar konsultim lidhur me procesin e emërimit të kandidatëve. Pas kësaj Topi vendosi ngritjen e një grupi konsultativ me qëllim analizimin sa më të mirë të kandidatëve të paraqitur për anëtarë të Gjykatës së lartë.
“Ky grup ekspertësh dhe përfaqësuesish të jurisprudencës shqiptare kanë për objektiv asistencën ligjore në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë dhe do të funksionojë për një periudhë 10 ditore. Grupi juridik i transparencës do të shqyrtojë dokumentacionin e kandidatëve, mund të kërkojë informacione shtesë, të sugjerojë standarde dhe kritere të tjera që lidhen me etikën, moralin, nivelin profesional të kandidatëve si dhe, kur e çmon të arsyeshme mund të intervistojë një pjesë të tyre” – thuhet në deklaratën e dalë nga presidenca.
Një ndër objektivat e këtij grupi juridik është realizimi i seancave dëgjimore në Presidencë me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, të cilët do të ftohen për të prezantuar rekomandimet mbi standardet dhe parimet e vlerësuara prej tyre mbi të cilat, Presidenti i Republikës do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve për 6 vendet vakant.
Seancat dëgjimore dhe konsultative me përfaqësuesit e grupeve parlamentare, me objekt përcaktimin e standardeve të kërkuara nga Kuvendi i Shqipërisë për gjyqtarët e lartë do të jenë transparente dhe në prezencën e medias dhe përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare.
Ky grup pune i përkohshëm dhe konsultativ përbëhet nga:
1. Artur Metani Këshilltar juridik i Presidentit2. Kreshnik Spahiu zv/kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë3. Virgjil Karaj sekretar i përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë4. Manjola Bejleri Kryetare e Shoq. Kombëtare të Gjyqtarëve5. Artur Kalaja, Kryetar i Unionit të Gjyqtarëve6. Prof. Dr. Skënder Kaçupi Dekan i Fakultetit të Drejtësisë7. Prof. Dr. Aleks Luarasi8. Prof. Dr Rustem Gjata9. Krenar Loloçi ekspert i të drejtës Kushtetuese