E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Lartë refuzon administrimin e palo-provave të paraqitura nga Prokuroria

17-12-2011 / Gazeta 55

Në seancën e gjyqit për të ashtuquajturin regjistrim “Meta-Prifti”, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesat e prokurorisë, e cila në dëshpërim e sipër, kërkoi pa sukses që të administrohen si prova edhe shkrimet dhe intervistat e ish-ministrit të Ekonomisë
Avokati Braho: “U provua se ky ishte një proces i montuar politikisht”

Prokuroria shënon një tjetër dështim spektakolar në procesin gjyqësor Meta – Prifti. Organi i akuzës kërkoi të administrohen si prova intervistat televizive të Dritan Priftit (konkretisht materiali i emisionit Top Story) si dhe të gjitha shkrimet e botuara prej tij në blogjet online dhe në gazetat e përditshme. Avokatët e Metës kundërshtuan kërkesën e prokurorisë, duke deklaruar të pabazë dhe tendencioze. Gjykata ka pranuar si prova lap topin, orën me të cilën është xhiruar nga Prifti dhe USB-në, të cilat mund të ndihmojnë në verifikimin e saktësisë së video-përgjimit, ku ish-zëvendës Kryeministri Ilir Meta shfaqet duke diskutuar me ish-ministrin e Ekonomisë Dritan Prifti lidhur me disa afera korruptive. Kolegji Penal pranoi të gjitha provat shkresore të depozituara nga dy avokatet e Ilir Metës, Gëzim Veleshnja dhe Petrit Serjani, mes të cilave edhe kërkesa e Dritan Priftit bërë në vitin 2002, ku ai kërkonte të linte mandatin e deputetit për shkaqe shëndetësore. Gjithashtu, u pranuan si prova shkresore edhe dokumentet e paraqitura nga avokatët për ankandin e naftës “Albpetrol”, si dhe një shkresë e ministrit të Brendshëm Bujar Nishani, për mungesën e ekspertizës. Pas seancës gjyqësore ka ardhur edhe reagimi i përfaqësuesit ligjor të LSI-së, Spartak Braho i cili edhe njëherë e cilësoi një proces të montuar nga ana e prokurorisë. “Dëgjuam të tëra argumentet e prokurorisë, për të cilat prokuroria ka bërë kërkesën e saj. Ajo ka kohë për t’i verifikuar edhe njëherë, për të mos njollosur figurën e Metës politikisht”- u shpreh Braho. Data 6 janar do të jetë edhe seanca në të cilën do të jepen konkluzionet përfundimtare, ndërsa prokuroria do të japë pretencën.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›