Dita/Nishani: Liberalizimi i vizave uli ndjeshëm trafikun ilegal

Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani u shpreh dje nga Pika e Kalimit Kufitar të Kakavijës, se “falë liberalizimit të vizave është ulur afër zeros numri i trafiqeve të qenieve njerëzore”. Gjatë inspektimit që ai bëri në këtë pikë kufitare, Nishani vlerësoi profesionalizmin e Policisë Kufitare për ruajtjen integrale të kufirit. “Ajo po lufton fort ndaj trafikantëve të lëndëve narkotike, të cilët tentojnë të kapërcejnë vijën e gjelbër në mënyrë të paligjshme”- tha Nishani ndërsa bëri të ditur se gjatë këtij viti, në qarkun e Gjirokastrës janë identifikuar 44 raste për tentativë të lëndëve narkotike.
Kreu i ministrisë së Brendshme vuri në dukje gjithashtu se këtë vit është rritur edhe numri i shtetasve të huaj, të cilët tentojnë të hyjnë në Shqipëri në mënyrë ilegale.
“Policia kufitare ka marrë të gjitha masat për të parandaluar këtë fenomen dhe Qeveria shqiptare po bashkëpunon ngushtë me autoritetet greke dhe turke për kthimin në vendlindje të të gjithë emigrantëve arabë dhe afrikanë”- nënvizoi ai. Gjatë vizitës së tij, ministri i Brendshëm Bujar Nishani, i shoqëruar nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, si dhe nga prefektja e qarkut të Gjirokastrës, Mimoza Çomo, vizituan familjen e ish shefit të komisariatit të Përmetit, Nuri Kërçani, i cili katër ditë më parë humbi jetën aksidentalisht, së bashku me oficerin e krimit, Petrit Lata, teksa po ktheheshin nga shërbimi.
IPA, Shqipëria merr 82 milionë euro - Bregu: Të destinuara për reformat që kërkon BE/Bashkimi Europian i akordon Shqipërisë, 82 milion euro për vitin 2012, në kuadër të fondeve IPA. Kjo shumë do të shkojë për projektet e planifikuara nga qeveria shqiptare. Siç bëri me dije ministrja Bregu, qeveria po përgatit dhe projektet për një vit më pas ndërsa projektet kryesore mbështesin plotësimi i 12 rekomandimeve të BE-së, reformën në drejtësi, dhe ndërtimin i pallatit të drejtësisë. Drejtori për Ballkanin në Drejtorinë për Zgjerimin Pier Mirel, vlerësoi se qeveria shqiptare ka bërë planifikime shumë të mira dhe me të shpejtat në kohë, ndërsa theksoi si sfidë që duhet të marrë zgjidhje çështjen e pronësisë, veçanërisht të lidhura me projektet e investimeve infrastrukturore. “Jam shumë i kënaqur që IPA 2011 është firmosur dhe 82 milion eurot kanë mbërritur nga taksapaguesit europian. Ky është angazhim i BE: që të ndihmojë Shqipërinë të jete e gatshme për anëtarësim. Kam parë përmirësim në mënyrën e programimit të projekteve. Përsëris si sfidë çështjen e pronës, veçanërisht kur bëhet fjalë për investime solide që kërkojnë një bashkëveprim më të shpejtë mes aktorëve të përfshirë në proces, e kam fjalën për ministritë e linjës dhe njësitë vendore, pasi zgjidhja e çështjes së pronës është një ndër 12 rekomandimet e KE”- tha Pierr Mirel. Ndonëse Europa është përfshirë nga kriza, para disa ditësh komisioni europian vendosi që të mos ndërpriten fondet IPA të dedikuara për vite më radhë për vendet aspirante për t’iu bashkuar familjes europiane