Gjykata e Lartë rikthen për 10 ditë në burg gardistin e 21 Janarit
Tiranë Në kohën që hetimet për ngjarjet e 21 Janarit janë thuajse pezull, Gjykata e Lartë vendos të rikthejë në qeli një nga gardistët e arrestuar, si i dyshuar për vrasje. Sadik Çela, një nga katër gardistët e arrestuar si përgjegjës për ngjarjet e 21 Janarit, pritet të rikthehet në qeli, ku do të qëndrojë edhe 10 ditë për të plotësuar masën e sigurisë “arrest me burg me afat 30 ditë”. Vendimi është dhënë ditën e djeshme nga një kolegj penal i kryesuar nga kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Sipas faqes zyrtare të kësaj gjykate, rezulton se për shqyrtimin e kërkesës së prokurorisë që kundërshtoi lirimin e gardistit Çela janë konsumuar disa seanca gjyqësore, derisa ditën e djeshme, shkalla më e lartë e gjyqësorit rrëzoi vendimin e Apelit. Burimet saktësojnë se lirimi i gardistit Sadik Çela është bërë pasi avokati i tij mbrojtës ka paraqitur në Gjykatën e Apelit një vërtetim, që tregon se klienti i tij më 21 Janar nuk dispononte asnjë armë të kalibrit 9 mm, gëzhojat e të cilës janë gjetur në vendin e ngjarjes. Menjëherë pasi u njoh me këtë vërtetim, Apeli ka shpallur të paligjshëm arrestimin e gardistit dhe ka urdhëruar lirimin e tij të menjëhershëm. Kundër këtij vendimi ka bërë ankim Prokuroria e Apelit, e cila pretendon se gardisti më 21 Janar ka qenë i armatosur me një armë automatike të kalibrit 9 mm, e cila mban numrin 0057383. Nga kjo armë, sipas akt-ekspertimit përkatës, rezulton se janë qitur 10 gëzhoja, të cilat janë gjendur brenda rrethimit të Kryeministrisë. Duke qenë se arsyet e lirimit të gardistit kanë rënë, Gjykata e Lartë ka vendosur të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë që cakton 30 ditë burg për gardistin Sadik Çela. Vendimi i shkurtuar i është vënë në dispozicion Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ka kërkuar ekzekutimin, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk është bërë i mundur arrestimi i gardistit Sadik Çela. Efektivi i Gardës së bashku me gardistët Agron Malaj, Mark Nikolli dhe Gazmend Ahmetaj u arrestuan në shkurt të këtij viti me urdhër të prokurorisë. Në datën 9 shkurt përfaqësuesit e akuzës i kërkuan Gjykatës së Tiranës caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj katër gardistëve si të dyshuar për vrasjen në rrethana të tjera cilësuese, kryer në bashkëpunim ndaj Faik Myrtajt, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës. Gjatë seancës së masës së sigurisë prokuroria tërhoqi kërkesën e arrestit për gardistin Agron Malaj, pasi akt ekspertimi tregoi se arma e tij tip automatik MP5 ishte bllokuar dhe se nga kjo armë nuk ishte shkrehur asnjë fishek. Për tre gardistët e tjerë shkalla e parë caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 30 ditë, kohë kjo që u la në dispozicion të prokurorisë për paraqitjen e provave të reja në ngarkim të gardistëve.