E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis hetimi për vdekjen e dy punëtorëve, asnjë i dyshuar

Dje janë përcjellë për në banesën e fundit dy viktimat, ndërsa i mbijetuari është në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak në Tiranë

KUKËS Dy ditë pas tragjedisë së ndodhur në një nga minierat e Kalimashit në Kukës, policia e këtij qyteti ka nisur hetimet lidhur me këtë ngjarje. Burime nga policia saktësojnë se për këtë ngjarje është hapur një çështje, por pa saktësuar nëse është marrë ndonjë njeri në pyetje apo ndonjë person përgjegjës për këtë ngjarje. Në fakt policia e Kukësit sqaron se punimet që dy viktimat bënin në galeri ishin të palicencuara, pasi ato galeri kanë qenë të mbyllura prej kohësh. Galeria ndërkohë shfrytëzohet nga persona që e quajnë veten pronarë dhe marrin në punë njerëz që janë në vështirësi ekonomike dhe që punojnë pa asnjë kusht teknik.

Ceremonia

Është zhvilluar ditën e djeshme ceremonia mortore e dy viktimave Besnik Halili, 52 vjeç nga fshati Bushat dhe Xhezahir Sulmata, 33-vjeç nga fshati Mamëz, të cilët humbën jetën dy ditë më parë, pasi u bllokuan në minierë nga një masiv dheu dhe gurësh në një nga galeritë e kromit në Keçël të Kalimashit. Ceremonia mortore e dy viktimave është zhvilluar rreth orës 14.00 në fshatin Bushat dhe Mamëz të rrethit të Kukësit. I mbijetuari i tragjedisë së dy ditëve më parë Alfred Sulmata 22 vjeç, po nga Mamëzi, vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe tashmë është shtruar në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Të tre personat nga fshatrat e Kukësit kishin shkuar në minierë për të nxjerrë skrap, por si pasojë e gjendjes jo të mirë të galerive ata janë mbuluar nga masiv dheu dhe gurësh. Vetëm disa orë pas ngjarjes është bërë e mundur nxjerrja e tyre nga thellësia 400 metra. Në fakt galeria shfrytëzohej nga persona që janë vetëdeklaruar pronarë dhe marrin në punë persona që jetojnë në kushte të vështira ekonomike.

Zona e Kalimashit është ndër më të mëdhatë në vend, pjesa tjetër e kësaj zone, ku futen zona e Hasit, Kukësit dhe Tropojës, i janë dhënë me koncesion firmës kinezo-turke IMI, ndërsa nga drejtuesit e këtyre minierave thuhet se për këtë firmë nuk është dhënë ende leja e shfrytëzimit dhe kjo për arsye burokratike.

Një gjë e tillë, sipas tyre, ka sjellë dhe mungesën e investimeve në këtë sektor, duke lejuar të lulëzojnë në mënyrë të jashtëligjshme rezervat minerare, duke rrezikuar jetën e punëtoreve dhe duke sjellë dhe tragjedi si ajo e dy ditëve më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›