E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e volejbollistit të “Teutës”, dyshohet për grabitje

Sipas burimeve nga policia e Durrësit, mësohet se janë shoqëruar 30 persona për të hedhur më shumë dritë mbi ngjarjen

DURRES Vrasja e 24-vjeçarit Juxhin Guza ka tronditur komunitetin sportiv në qytetin bregdetar, por edhe banorët e Durrësit. Ditën e djeshme janë zhvilluar dhe homazhet në ambientet e Pallatit të Sportit, ku të afërmit dhe miqtë ende nuk e kanë marrë veten nga tronditja e thellë. Dy janë pistat që po heton policia dhe prokuroria: njëra mund të jetë ajo e grabitjes, pasi kishte parkuar makinën pranë shtëpisë dhe po hynte për në banesë dhe pista tjetër ajo e një hakmarrje, që pas sherrit personat me të cilët është konfliktuar i kanë zënë pritë dhe e kanë vrarë. Deri tani policia ka arritur të mësojë se viktima po kthehej nga një darkë me shokët dhe në çastin kur po afrohej pranë hyrjes së pallatit ku banonte është sulmuar nga një ose më shumë persona dhe është goditur disa herë me thikë, duke përfunduar i shtrirë përdhe.

Hetimi

Sipas burimeve nga policia e Durrësit, mësohet se “lidhur me këtë ngjarje, nën drejtimin e Prokurorisë po punohet njëkohësisht me dy grupe pune, për verifikimin e pistave dhe zbardhjen sa më të shpejtë të rastit”. Po kështu, është bërë e ditur se janë shoqëruar e pyetur në polici lidhur me këtë ngjarje 30 persona, nga të cilët 12 në cilësinë e dëshmitarit. Nga hetimet e deritanishme rezulton se ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.5 Durrës, pranë banesës së viktimës, në kohën kur ky i fundit sapo kishte parkuar automjetin e tij. Gjithashtu, rezulton se persona ende të paidentifikuar, kanë qëlluar me thikë të dëmtuarin dhe më pas janë larguar. Me qëllim hetimin dhe zbardhjen e kësaj ngjarjeje, po bashkëpunohet ngushtë edhe me Laboratorin Kriminalistik Tiranë, i cili po kryen ekzaminimin e provave materiale të sekuestruara në vendin e ngjarjes.

24-vjeçari u dërgua urgjentisht në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku dhe i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Ndërsa mendohej se i plagosuri po përmirësohej, pasditen e djeshme gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar. Me gjithë ndihmën e dhënë nga bluzat e bardha, i riu nuk mundi t'i shpëtojë vdekjes. Ai ndërroi jetë dje rreth orës 18:30.

Sipas mjekëve, i riu kishte pësuar 4 goditje me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Mësohet se viktima Junxhi Guza ishte pjesëtar i skuadrës së volejbollit "Teuta", të Durrësit. Një grup hetimor ka nisur që në orët e para të mëngjesit punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

Të shoqëruarit

Janë shoqëruar e pyetur në polici lidhur me këtë ngjarje 30 persona, nga të cilët 12 në cilësinë e dëshmitarit

Viktima

I riu kishte pësuar 4 goditje me thikë në pjesë të ndryshme të trupit. Mësohet se viktima Junxhi Guza ishte pjesëtar i skuadrës së volejbollit "Teuta" të Durrësit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›