Gjykata e Lartë, shtyhet seanca në Komisionin e Ligjeve

Shtyhet për të disajtën herë shqyrtimi i ligjit për Gjykatën e Lartë në komisionin e ligjeve. Mbledhja është shoqëruar me debate dhe replika mes deputetit të PS-së, Fatmir Xhafaj dhe kreut të Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmajli. Në fillim të mbledhjes deputeti socialist Xhafaj ka sqaruar mungesën e opozitës në mbledhjen e komisionit të ligjeve të enjten e kaluar.
Sipas tij, opozita mungoi për shkak të axhendës politike pasi deputetët e PS-së kishin takime me elektoratin. “Ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë për këtë ligj. Nuk mund ta çojmë përpara ligjin për Gjykatën e Lartë vetëm se na e kërkon Bashkimi Europian por për qytetarët ” është shprehur Xhafaj.
Gjithashtu Xhafaj i është përgjigjur edhe akuzave të mazhorancës se po bllokon ligjin për Gjykatën e Lartë duke theksuar se është kjo e fundit që nuk i ka plotësuar detyrat e saj për integrimin.
"Mazhoranca të bëjë detyrat e saj. Opozita nuk po bllokon, ky nuk është integrim por spekulim. Ne kemi një marrëveshje në fuksion të integrimit që është reforma parlamentare e cila ende nuk është zbatuar. Ne nuk mund të ndërtojmë një proces formal por esencial. I kemi kërkuar kreut të grupit democrat Patozi të zbatohet vendimi i gjykatës për situatën në Fier” ka shtuar Xhafaj
I menjëhershëm ka qënë reagimi i kreut të komisionit, Ilir Rusmajli i cili ka theksuar se njoftimi për mbledhjen u bë me kohë ndërsa shtoi se nëse nuk miratohet ligji për gjykatën e lartë pengohet edhe funksioni i Gjykatës Administrative.
“Nëse një takim në fshat jep më shumë se sa procesi i integrimit kjo është puna e opzoitës. Ruçi ka kërkuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Fier, ne nuk zbatojmë vendime,por bëjmë ligje. Vendimet e gjykatave janë jashtë Parlamentit, nuk mund të zgjidhen duke bllokuar ligjet” shtoi më tej Rusmajli.
Gjithashtu Rusmajli i ka cilësuar si pseudoargumenta deklaratat e PS-së për projektligjin për Gjykatën e Lartë. " Kemi bërë ofertën për të kaluar nenet që lidhen me funksionimin e Gjykatës Administrative. Opozita para dy javësh pranoi ofertën tone ndërsa sot nxjerr pseudoargumenta” tha Rusmajli.
Më pas opozita ka kërkuar ndërprerjen e ligji për Administratën Publike. Deputeti i PS-së Xhafaj ka theksuar se nuk mund të shqyrtohet ligji për Administratën Publike, kur mazhoranca ka bllokuar Fierin.
Por kjo kërkesë është kundërshtuar nga mazhoranca. “Jemi kundër ndërprerjes së shqyrtimit të ligjit për Administratën Publike. Axhendën e ligjeve e përcakton Konferenca e Kryetarëve” theksoi kreu i komisionit Ilir Rusmajli.
Ndërkohë pas mospranimit të kërkesës për ndërprerjen e shqyrtimit të ligjit për Administratën publike deputetët e opozitës kanë braktisur komisionin e ligjeve duke bërë që mbledhje të shtyhet për nesër.