U mori 2400 euro tre personave për kalim të paligjshëm kufiri, pranga një trafikanti
Mallakastër - Policia mallakastriote ka vënë në pranga një shtetas nga Berati, i cili kishte ndihmuar për kalim të paligjshëm të kufirit tre shtetas, duke u marrë shumën e 2400 eurove së bashku. Kapja e tyre në kufi, kur po tentonin ta kalonin në mënyrë të paligjshme, ka bërë të mësohen edhe emrat e personave që i kishin ndihmuar ata. Sipas të dhënave policore mësohet se në pranga të policisë ka rënë shtetasi Besnik Hoxha, 23 vjeç, lindur e banues në Berat. Ai ka qenë duke udhëtuar me autobusin e linjës Sarandë-Tiranë dhe po kthehej pas marrjes së eurove që u kishte zhvatur 3 personave të mësipërm mbi ndihmën për kalim të paligjshëm të kufirit. Policia ka ndalur fillimisht Fatjon Canin, Ervis Hysin dhe Artjon Hoxhën, të cilët kanë pohuar në polici se kishin paguar nga 800 euro secili te Besnik Hoxha dhe te një tjetër nga Kuçova, për t’i ndihmuar që të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin. Pas marrjes së informacionit, policia ka njoftuar kolegët mallakastriotë, të cilët kanë bërë postbllok në vendin e quajtur Qafa e Kashit, ku kanë ndaluar Hoxhën nga Berati. Tashmë policia po punon për ndalimin e një shtetasi tjetër nga Kuçova.
Protestat e PS-së dhe LSI-së, policia përcakton rrugët ku do të ndalohet qarkullimi
Tiranë – Policia e Tiranës ka paralajmëruar se sot, në rrugët kryesore të kryeqytetit, do të ketë bllokime të qarkullimit rrugor për shkak të protestave që janë paralajmëruar të zhvillohen nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Socialiste në sheshin “Nënë Tereza” dhe në sheshin “Skënderbej” në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare komunikohet se nga ora 07:00, deri në orën 20:00 do të ndalohet parkimi i automjeteve në sheshin “Skënderbej”, atë “Nënë Tereza”, në sheshin “Italia” dhe në bulevardin “Dëshmorët e kombit”. Ndërkaq, nga ora 16:00 deri në orën 20:00 do ndalohet qarkullimi i automjeteve përgjatë sheshit “Nënë Tereza” deri në Urën e Dajtit. Kurse nga ora 17:00 deri më 20:00 do të ndalohet qarkullimi i automjeteve përgjatë sheshit “Skëndërbej”, bulevardit “Dëshmorët e kombit” dhe sheshit “Nënë Tereza”. Lidhur me këto masa, Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve.
16 Mars 2009