Gjykata e Lartë zbardh vendimin për Mediun, Prokuroria duhet të kërkojë më parë heqje imunitetiNga Tema Gjykata e Lartë e Shqipërisë dje ka zbardhur vendimin e marrë pak ditë më parë për të pushuar çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes,
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Gjykata e Lartë zbardh vendimin për Mediun, Prokuroria duhet të kërkojë më parë heqje imunitetiNga TemaGjykata e Lartë e Shqipërisë dje ka zbardhur vendimin e marrë pak ditë më parë për të pushuar çështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i akuzuar nga prokuroria për shpërdorim të detyrës në akte që çuan në shpërthimin vrastar në Gërdec. Në argumentet e saj Gjykata e Lartë shprehet se pushimi i çështjes erdhi menjëherë pas rizgjedhjes së Mediut si deputet, çka do të thotë veshje e tij me imunitet. “Fakti që ky i pandehur është zgjedhur deputet në legjislaturën e XVIII të Kuvendit të Shqipërisë nuk lejon vazhdimin e procedimit penal në ngarkim të tij”, - thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë. Sipas Gjykatës, në kushtet kur Prokuroria nuk ka kërkuar pranë Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Mediut dhe në kushtet kur Kuvendi nuk ka lëshuar një autorizim për ndjekje penale, atëherë procedimi ndaj Fatmir Mediut nuk mund të vazhdojë. Gjykata e Lartë është përpjekur të shfajësohet nga presioni i madh i ushtruar nga opinioni publik dhe ka lënë të hapur mundësinë e një kërkese të dytë të prokurorisë për heqje të imunitetit të deputetit Mediu. Në fakt, çështja aktualisht është e pushuar dhe praktikisht nuk ka mundësi të rihapet, për shkak të faktit se kërkimi i imunitetit dy herë për të njëjtën çështje cilësohet si i pamundur ligjërisht. Gjykata e Lartë në arsyetimin e vendimit të saj megjithatë saktëson se Prokuroria nuk e ka kërkuar heqjen e imunitetit dhe se imuniteti e mbron z. Mediu. Me këtë vendim duket sikur Gjykata e Lartë i tregon Prokurorisë rrugën që duhet të ndjekë për të pasur mundësi që vetë Gjykata ta cilësojë të gjykueshme çështjen. Është hera e parë që Gjykata e Lartë fashit në njëfarë kuptimi zërat për pamundësinë e gjykimit të ish-ministrit të Mbrojtjes. Tashmë, me sa duket, do t’i duhet Prokurorisë të shfajësohet duke e çuar kërkesën për heqje imuniteti në parlament. Po ashtu, parlamenti mund të vihet para një prove të vështirë me këtë kërkesë.