Për një vendi puneNga Izet ShehuKëtë që po e provojmë mbi shpinë, çdo gjë mund ta quash, por tranzicion jo. S’i thonë pak: plot 17 vjet. Afër gjysma e viteve të diktaturës komuniste! Shty të shtyjmë, zvarritu të zvarritemi, po kapërcyellin me gjemba
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Për një vendi puneNga Izet ShehuKëtë që po e provojmë mbi shpinë, çdo gjë mund ta quash, por tranzicion jo. S’i thonë pak: plot 17 vjet. Afër gjysma e viteve të diktaturës komuniste! Shty të shtyjmë, zvarritu të zvarritemi, po kapërcyellin me gjemba s’e kaluam që s’e kaluam dot. Prit për më mirë, por qenka e kotë. Shpesh grindemi me veten dhe me të tjerët. Kam 3 vjet që endem rrugë më rrugë e zyrë më zyrë në kërkim të një vendi pune. Si mbarova shkollën e lartë, pra, para 3 vjetëve, bëra përpjekje për të siguruar një vizë. S’arrita ta siguroja dot vizën për të shkuar emigrant diku në ndonjë vend perëndimor. M’u mërzitën ambasadat dhe sekserët që vërtiten qark tyre. M’u bë jeta ferr e shkuar ferrit. Lexoja çdo ditë në gazetat e ndryshme lajmërimet për punësim te ndonjë firmë private apo ndonjë institucion shtetëror. Merreni me mend se sa e mundimshme është të endesh për një vend pune, të përgatisësh dokumentacionin e nevojshëm për të aplikuar për të. S’jam vetëm unë që vuaj në këtë qerthull. Jemi mijëra. Në fillim i paraqita dokumentet në një ndërmarrje private. A e dini se kujt ia paraqita CV-në për herë të parë? Një miss-i me dhëmbë të bardhë. Ajo më priti me një buzëqeshje të trëndafiltë. S’di pse buzëqeshja e saj m’u duk si një trëndafil i kuq artificial, nga ato që shiten në të hyrë të varrezave të qytetit.
- Eja pas dy javësh, - më tha bukuroshja.
Ashtu bëra. Trokita pas dy javësh në derën e zyrës së saj.
- Hyr, - më tha. - Ti je ai inxhinieri?
- Po - i them.
- Merr një certifikatë tjetër. Kësaj i ka kaluar afati.
- Kur ta sjell certifikatën?
- Nga e hëna.
Atë ditë ishte e hënë. Nisem për të marrë certifikatën. Në dy krahët e sportelit vargu i njerëzve s’kishte fund. Kur erdhi radha ime, nëpunësja e mbylli sportelin. Më tregoi me dorë orën. Mbase kishte të drejtë. Sa pa kapërcyer derën e madhe të gjendjes civile, ndërrova mendje. Po rrija si për gjynah para xhamave të sportelit. Nëpunësja vazhdonte punën. Pashë të futur ndër pasaporta nga një 500 lekëshe të re. Ajo më pa dhe e mbylli perden e sportelit me nervozizëm. Pas dy ditësh e mora certifikatën. Të hënën bukuroshja me dhëmbë të bardhë më qortoi për vonesën dhe më tha se i vinte shumë keq për mua, pasi ai tjetri ishte treguar më i shkathët, ndaj dhe e kishte filluar punën një javë më parë. “Në luftë më i forti, në vrap më i shpejti” solla ndër mend një thënie të Spenserit. S’e harroj kurrë atë buzëqeshje artificiale. Sa shumë dokumente kam bërë për punësim!
Një thes me dokumente. Një thes me makthe e shpresa të vrara. Ata, nëpunësit e shtetit, janë më të sofistikuar. Si rozët e si blutë. Njëlloj janë: të kallajisur për ibret, qejf-paprishur e punë-pambaruar. Kurrë s’të thonë kurrë. E kanë përvetësuar në mënyrë bolshevike këtë thënie të Churchill-it. Lexova në një gazetë për një vend pune në një dikaster qendror dhe sërish përgatita nga e para dokumentet. Do ta fitoja vendin e punës me konkurs. Këtu punonjësi i kuadrit ishte i rrahur me vaj e me uthull. I pa dokumentet “me kujdes”. Pyetjet e tij se, kur kisha mbaruar, ç’përvojë pune kisha etj., më tregonin se dokumentet e kishin parë atë. Pra ai, duke parë dokumentet e mia, i dilnin para syve kartëmonedha.
- Ke lajmërimin te dera e dikasterit, - më tha. - Në lajmërim është data dhe ora e konkurrimit.
Dukej burrë i thekur ky nëpunësi i kuadrit. E folura e tij e çalë dialektore më ka mbetur në mendje.
U mbylla disa ditë dhe studiova materialet e dhëna për konkurrim. U paraqita me besim e shpresë në ditën e caktuar. Përgjigjen e mora pas dy javësh. Isha i pari në listë. U gëzova. Mbaruan për mua sorollatjet, - thashë me vete.
Gjithë humor trokita në zyrën e drejtorit të “burimeve njerëzore”, pra shefit të kuadrit.
- Prit, - më thotë. - A s’e sheh që jam i zënë?
Më la dy orë te dera. Kur po dilte, ia preva rrugën.
- Kam zënë vendin e parë në konkurrim, - i them.
- E pastaj?
- Dua të futem në punë.
- S’e paske kuptuar mirë, more djalë. Ti vërtet ke zënë vendin e parë, por ne, ndër tre të parët, përzgjedhim atë që mendojmë. Kjo është e drejta jonë e konfirmuar me ligj.
- Kjo qenka e drejta juaj?!
U bëra gati ta pështyja, por polici më zuri për krahu dhe më nxori jashtë dikasterit. Një mesoburrë, që rastësisht u ndodh aty pranë, më tha se konkurrimi ishte bërë formalisht. Ka tre muaj që numri tre në listën tuaj është punësuar.
I bërë tym, dola në rrugën e madhe. Tufa me trëndafila artificialë, si ato që shiten në hyrje të varrezave, më tundeshin para syve. Tufa me trëndafila të kuq e të pluhurosur artificialë. Kështu, pra, u lodha duke trokitur zyrave e duke u endur rrugëve në kërkim të një vendi pune. Dua të ushtroj zanatin tim, për të cilin u shkollova për pesë vjet me radhë.
Unë, që po ju rrëfehem kaq hapur, nuk përbuz asnjë lloj pune. Jam njëri nga ata që herëpashere kam lypur punë tek Ushtari i Panjohur.
Por gjer më sot kam mbetur një lypës i zellshëm për një vend pune. Sa kohë do të zgjasë kjo lypje, një Zot e di …”