E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Sarandës,15 ditë burg për Xhemal Kullaj

Gjykata e Sarandës ka dhënë masën e sigurisë, 15 ditë burg, për Xhemal Kullajn, i cili dyshohet për vrasje nga pakujdesia të një 79-vjeçari grek. Vetë i pandehuri nuk e ka pranuar akuzën, duke thënë se ishte 10 metra larg vendit të ngjarjes. “Nuk kam kryer asnjë vrasje. Kam qenë 10 metra larg, kur i moshuari u përplas në tokë”. Kjo ka qenë alibia e 53-vjeçarit, Xhemal Kullaj dhënë sot në sallën e gjyqit.
 

Seanca për caktimin e masës së sigurisë në ngarkim të të dyshuarit, për veprën penale "vrasje nga pakujdesia", u zhvillua rreth orës 8.30 të mëngjesit të së shtunës. Në seancën e kryesuar nga gjyqtarja Enkeleda Doda, prokurori Julian Çafka, ka kërkuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për Xhemal Kullaj, me kombësi shqiptare e shtetësi franceze.
 

Sipas prokurorit Çafka, 53-vjeçari Xhemal Kullaj, është i dyshuar për veprën penale, "vrasje nga pakujdesia". Në datën 10 gusht, rreth orës 19.00, në parkingun e hotel "Olympia", ka humbur jetën 79-vjeçari Kostandinos Karadhimas, banues në Lamia të Greqisë. Sipas prokurorit Çafka, në vendin e ngjarjes janë konfliktuar i pandehuri me gruan e viktimës, Maria Karadhimas.

Shkak është bërë parkimi i mjeteve, pasi gruaja e viktimës ka pretenduar se i pandehuri Kullaj, ka kaluar me mjetin e tij shumë pranë makinës së dy të moshuarve duke rrezikuar prekjen e tij. Në këtë moment, 79-vjeçari Kostandinos, është rrëzuar në tokë dhe brenda pak çastesh ka humbur jetën.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›