Incidenti në Komisariat, shkarkohen 15 policë

Këtë herë policia ka reaguar, por për të vendosur disiplinë dhe rregull në rradhët e saj. Me një shkresë nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, mbërritur Komisariatit Nr.5, në Kamëz është bërë përjashtimi i menjëhershëm i 15 punonjësve të policisë, së këtij komisariati.
Motivacioni për shkarkimin e tyre nga detyra është për mosveprim në kohën e duhur, në një incident të ndodhur në brendësi të godinës së Komisariatit.
Ngjarja, e cila ka sjellë largimin e uniformave blu ka ndodhur në datën 22 korrik. Pikërisht mëngjesin e kësaj dite është shoqëruar në qeli një pjesëtar i familjes Halili, i cili më pas është lënë i lirë dhe ka rrëfyer në shtëpi së është keqtrajtuar.
Kaq ka mjaftuar për familjarët që të nisen në drejtim të komisariatit dhe të qëllojnë me gurë e sende të forta duke thyer xhamat e godinës.
Për të qetësuar gjendjen e krijuar, kanë ndërhyrë disa punonjës policie si dhe shefi i krimeve, i cili është goditur në kokë me sende të forta. Më pas janë shoqeruar në komisariat tre pjesëtarë të familjes, Halili për këtë incident të ndodhur në komisariat.
Ndërsa, shefi i krimeve dhe katër efektivë të tjerë të plagosur janë shoqëruar në spital për të marrë mjekimin. Pikërisht kjo ngjarje e analizuar mjaft mirë nga specialistë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ka sjellë pas 21 ditësh vendim shkarkimin për 15 policë, që nuk ndërhynë për të evituar incidentin.