E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata e Shkodrës 20 ditë burg për rojen e komunës Shalë

Shkodër Gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg për 20 ditë ndaj të ndaluarit Frrok Toma, i cili akuzohet për shkatërrim të pronës me zjarr, kjo për godinën e komunës Shalë. Gjykatësi i çështjes gjatë seancës së caktimit të masës së sigurisë i ka kërkuar të ndaluarit të japë deklaratë mbi atë çfarë ka ndodhur mëngjesin e 12 shtatorit në godinën e komunës së Shalës. Vetë i akuzuari nuk ka pranuar të flasë, por nëpërmjet avokatit mbrojtës ka deklaruar se është i pafajshëm dhe ka kërkuar detyrim për paraqitje për klientin e saj. Organi i akuzës ka kërkuar burg pa afat, ndërsa ka theksuar se akoma nuk i kanë ardhur të gjitha provat e nevojshme. Në fund të seancës gjyqësore trupi gjykues ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për 20 ditë për Frrok Tomën. Godina e komunës Shalë u përfshi nga flakët mëngjesin e së hënës rreth orës 06.30, ku pas ndërhyrjes së efektivëve të policisë së Shkodrës u bë i mundur shpëtimi i dokumentacionit të gjendjes civile, serverit dhe regjistrave të ndihmës ekonomike, ndërsa gjithçka tjetër u dogj. Komuna Shalë, në zonën e thellë malore të Dukagjinit, mbetet pjesë e tensioneve politike, duke pasur parasysh faktin se pista kryesore, ajo e zjarrvënies së qëllimshme të godinës së komunës, lidhet me zgjedhjet vendore në këtë njësi të qeverisjes vendore. Komuna Shalë u vu në qendër të opinionit publik për shkak të zhvillimit 3 herë të zgjedhjeve vendore, madje dhe betejës ligjore në dyert e Kolegjit Zgjedhor, i cili të premten e kaluar shpalli fitues, njëlloj si dhe KQZ-ja, kandidatin e PS-së, Balë Vuksani, i cili fitoi me 2 vota më shumë ndaj rivalit të tij Dedë Tonaj të PD-së. D.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›