Rrëfimi i agjentit: Minutat e përplasjes me bandën, plumbat na zunë në befasi
Tiranë Efektivi i Forcave Speciale Operacionale, Ervin Gjana, prej 24 orësh gjendet i shtruar në repartin VIP të Spitalit Ushtarak, nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve. Përpara derës së dhomës qëndrojnë kolegët e tij, të cilët vetëm pak orë më parë ishin duke u përballur me grupin e grabitësve, ku mbeti i plagosur dhe 29-vjeçari Gjana. Sipas mjekëve, gjendja e tij është e stabilizuar dhe nuk paraqet asnjë rrezik, pasi fatmirësisht plumbi e ka prekur në këmbën e majtë, poshtë gjurit. Ervin Gjana dhe të afërmit e tij na presin në dhomën e spitalit, por punonjësi i policisë refuzon të tregojë atë se çfarë ka ndodhur dy net më parë, duke u shprehur se është ende i tronditur. Por një prej kolegëve të tij, i cili për shkak të detyrës së tij nuk pranon të identifikohet, tregon gjithë skemën e operacionit, që për pak i rrezikoi jetën punonjësit të policisë. “Prej disa kohësh e kishim nën vëzhgim këtë grup, i cili na kishin thënë që ishte përgjegjës për disa grabitje në Tiranë. Me të marrë njoftimin se ku kishin në plan të kryenin grabitjen e radhës, u mobilizuam për t’i arrestuar në flagrancë. Ne u vendosën në hyrje të kazinosë dhe po prisnim që të dilnin e më pas t’i arrestonim, por nuk shkoi gjithçka sipas parashikimeve” - tregon efektivi. Në rrëfimin e tij për ngjarjen, ai vë në dukje se grabitësit ishin të mirëorganizuar, pasi dy prej tyre ndodheshin përballë kazinosë dhe vështronin çdo lëvizje, ndërsa dy të tjerë prisnin pak metra më tej, me një makinë. “Grupi ishte shumë i organizuar. Në kohën kur një ose dy prej tyre hynin për të grabitur, të tjerët qëndronin jashtë duke vëzhguar çdo lëvizje e për t’u siguruar që gjithçka të shkonte mirë. Në momentin kur njëri nga grabitësit doli, ne i thamë: Ndal, Policia! Ai ka kujtuar se ishim policë të thjeshtë, që nuk mund të qëllonim. Menjëherë pas kësaj ai nisi të qëllonte në drejtimin tonë” - tregon momentin e parë të përplasjes polici special. Kolegu i policit të plagosur shton se ata i janë kundërpërgjigjur menjëherë sulmit, por grabitësi i gjashtë nisi të qëllonte nga kati i dytë, duke i zënë në befasi. “Falë Zotit, që ishin kolonat, të cilat kanë pritur një numër të madh plumbash, se për ndryshe nuk e dinim sesi do të përfundonte. Ne ishim të pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme të sigurisë, me antiplumb, por nuk i dihet se nga të vjen plumbi”– tregon kolegu i Gjanës. Rrëfimi i tij vijon më tej duke treguar momentin e plagosjes së 29-vjeçarit dhe neutralizimin e dy prej grabitësve. “Gjatë shkëmbimit të zjarrit, një plumb bëri rikoshet në shtyllën e betonit dhe preku në këmbë Ervinin, i cili na tha se u plagos. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbetën të plagosur dhe dy prej grabitësve. Menjëherë pas kësaj bëmë të mundur dërgimin e Ervinit dhe të dy grabitësve për në Spitalin Ushtarak dhe më pas u bë arrestimi edhe i katër bashkëpunëtorëve të tjerë, të cilët prisnin jashtë kazinosë. Nuk di çfarë t’ju them më shumë. Na ka shpëtuar Zoti dhe falë tij, Ervini është mirë dhe jashtë rrezikut për jetën” – mbyll rrëfimin e tij efektivi i Forcave Speciale Operacionale. Ndërkohë, një tjetër situatë paraqitet pranë dhomës ku ndodhet i shtruar një prej grabitësve. Dy efektivë të FNSH-së qëndrojnë pranë derës së dhomës dhe nuk lejojnë askënd që të komunikojë me të plagosurin.
Babai i policit: Si e mësova plagosjen e tim biri
Naim Gjana ka udhëtuar përgjithë natën nga Kukësi në Tiranë, për t’u siguruar se djali i tij i plagosur në operacion ishte jashtë rrezikut
Tiranë Babai i efektivit të plagosur gjatë operacionit për arrestimin e bandës së grabitësve mundohet të fshehë shqetësimin. Naim Gjana ka udhëtuar përgjithë natën nga Kukësi në Tiranë për të qenë pranë të birit dhe vetëm kur e ka parë jashtë rrezikut është qetësuar. Babai i efektivit të plagosur tregon momentin kur mori vesh për plagosjen e Ervinit dhe shqetësimin që e kishte mbërthyer, deri në momentin që foli me të në telefon. “Sapo ishim shtrirë, pasi ishte ora rreth 22:30, kur djali i vogël, i cili jeton në Kukës me ne, kishte hapur televizorin dhe shikon se ishte plagosur një efektiv policie. Nuk kishte asnjë ide se mund të ishte Ervini. Pak minuta më vonë, atë e merr në telefon djali tjetër, i cili jeton në Tiranë dhe i thotë se Ervini është plagosur pak në këmbë, por është mirë dhe jashtë çdo rreziku. Pasi dëgjova telefonatën, e pyes djalin se çfarë kishte ndodhur dhe ai me tregon se Ervini ishte plagosur pak në këmbë, por nuk kishte rrezik. Si i dëgjova këto fjalë, s’po më mbante vendi. Mora në telefon djalin tjetër dhe i thashë si ishte puna dhe ai më siguroi se nuk kishte asnjë problem. Por si prind, nuk më mbante vendi dhe i kërkova të më kalonte në telefon Ervinin, por më tha se nuk mund të fliste, se ishte duke mjekuar plagën” – rrëfen babai i Ervin Gjanës. Ai shton më tej se nuk mund të priste më gjatë dhe njoftoi një të afërmin e tij për t’u nisur drejt Tiranës, për të mbërritur rreth orës 03:30 në Spitalin Ushtarak. “Edhe pse fola në telefon, doja ta shihja me sytë e mi si ishte. Njoftova një të afërm që kishte makinë se do niseshim për në Tiranë dhe rreth orës 03:30 mbërritëm në Spital ku dhe u takova me Ervinin dhe u binda që ishte mirë” - thotë Naim Gjana, i cili nuk e fsheh dot shqetësimin, edhe pse e ka bindur veten se puna e të birit është me rrezik. Th.Samarxhiu
Muçaj: Banda e arrestuar, 20 grabitje në Tiranë e rrethe
Kreu i policisë së Tiranës zbardhi operacionin “Pritja e Gjatë”, ku u plagos efektivi i policisë/ “Gjashtë grabitësit i mbanim nën vëzhgim, sulmonin kazinotë dhe supermarketet
Tiranë Operacioni i dy netëve më parë, ku mbetën të plagosur dy grabitës si dhe një efektiv policie, ka sjellë shkatërrimin e njërës prej bandave më aktive në Tiranë, e cila akuzohet për 20 grabitje me armë. Drejtori i Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj, zbardhi detajet e operacionit të koduar “Pritja e Gjatë”, kundër bandës që sulmonte kazinotë dhe lokalet e lojërave të fatit në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Të arrestuarit janë Bejo Pasha, 24 vjeç; Niklovan Çuraj, 25 vjeç; të cilët aktualisht gjenden në Spitalin Ushtarak për shkak të plagëve të marra; Jonida Çuraj, 21 vjeç; Ani Rrapa, 23 vjeç; Ilirjan Ilnica, 20 vjeç; dhe Jedmir Elmazi, 20 vjeç.
“Strukturat e hetimit të Krimit, pas një pune disamujore me metoda speciale të hetimit në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, bënë të mundur në mesnatë finalizimin e operacionit policor ”Pritja e Gjatë”, i cili konsistoi në zbardhjen dhe arrestimin e grupit kriminal që kryente vjedhje me armë të lojërave të fatit dhe kazinove në Tiranë e qytete të tjera”, - tha kreu i Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj. Qëllimi i operacionit policor ishte kapja në flagrancë e grupit kriminal, të përbërë prej 6 personash, të cilët kishin planifikuar vjedhjen e radhës me armë, në afërsi të sheshit “Avni Rustemi”. Sipas tij, agjentët e policisë u kanë bërë thirrje të ndalonin grabitësve, pasi ata kishin realizuar vjedhjen me armë dhe ishin duke dalë jashtë sallës së lojërave të fatit ‘Apex’ në rrugën “Luigj Gurakuqi”, të maskuar dhe të armatosur. Menjëherë pas thirrjeve të qarta të policisë, shtetasit Bejo Pasha dhe Niklovan Curaj janë përgjigjur duke qëlluar me armë në drejtim të forcave të policisë, e cila ka reaguar për neutralizimin dhe kapjen e tyre. “Gjatë shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur shtetasit Bejo Pasha dhe Niklovan Curaj si dhe një punonjës i policisë i Forcave Speciale Operacionale.” – deklaroi drejtori i Policisë së Tiranës. Në vendngjarje janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale një pjesë predhe metalike, armë zjarri pistoletë e prodhimit italian, një armë pistoletë e llojit Makarov, një sërë sendesh maskuese, të cilët kanë shërbyer për të fshehur identitetin e autorëve, si dhe një automjet me targë TP 2684 B. Në shtëpinë e Currajt janë sekuestruar të tjera rroba të përdorura gjatë vjedhjeve me armë, si dhe një pistoletë italiane. Drejtori i Policisë së Tiranës bëri të ditur se Bejo Pashës i është gjetur në xhep shuma e lekëve të vjedhura prej 2 milionë e 457 mijë lekë të vjetra, 100 euro si dhe 3 telefona celularë, dy prej të cilëve janë vjedhur në sallën e lojërave të fatit. Th.Samarxhiu
Të arrestuarit
Bejo Pasha, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë
Niklovan Çuraj, 25 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë
Jonida Çuraj, 21 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë
Ani Rrapa, 23 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë
Ilirjan Ilnica, 20 vjeç, lindur dhe banues në Peshkopi
Jedmir Elmazi, 20 vjeç, lindur dhe banues në Peshkopi
Grabitjet e bandës
31 janar 2011 - kanë vjedhur me armë lokalin e lojërave të fatit ”4 shtatat”.
25 shkurt - kanë vjedhur me armë lokalin e lojërave të fatit “Çezar”
9 mars 2011 - kanë vjedhur me armë lokalin e lojërave të fatit “Admiral”
10 mars 2011 - kanë vjedhur me armë pikën e lojërave të fatit
3 maj 2011, në rrugën “Sulejman Delvina” kanë vjedhur supermarketin “EuroMax”
9 maj 2011, në rrugën “Komuna e Parisit” kanë vjedhur me armë 1 kazino
9 maj 2011, në rrugën “Teodor Keko” kanë vjedhur me armë supermarketin “Neziri”
22 maj 2011, në rrugën “Teodor Keko” kanë vjedhur me armë supermarketin “Neziri”
28 maj 2011, në rrugën “Teodor Keko” kanë vjedhur me armë lokalin Eurolloto.
20 qershor 2011, në rrugën “Komuna e Parisit” kanë vjedhur supermarketin “Mercator”
27 qershor 2011, në bulevardin “Zogu I” kanë vjedhur me dhunë lokalin e lojërave të fatit APEX
13 korrik 2011, në rrugën “Teodor Keko” kanë vjedhur me dhunë karburantin “Alpet”
19 korrik 2011, në rrugën “Komuna e Parisit” kanë vjedhur me armë “Mercatorin”
23 korrik 2011, në bulevardin “Zogu I” kanë vjedhur me armë lokalin e lojërave të fatit APEX
07 gusht 2011, te gjimnazi “Qemal Stafa” kanë vjedhur me armë shtetasin E.K.
21 gusht 2011, në Rrugën e Kavajës kanë vjedhur me armë lokalin “Zgara Korça”
22 gusht 2011, në afërsi të Spitalit Ushtarak kanë vjedhur me armë supermarketin.
27 gusht 2011, në rrugën “Don Bosko” kanë vjedhur me armë lokalin e lojërave të fatit APEX.
2 shtator 2011, në rrugën “Pandi Dardha” kanë vjedhur me armë supermarketin KMY
14 shtator 2011, në rrugën “Luigj Gurakuqi” kanë vjedhur me armë lokalin APEX