Avokati: Sherri me gjyqtarin ka qenë për çështje femrash
Vangjel Muzina, avokati i akuzuar për kërcënimin e një gjyqtari të Durrësit, ka dalë dje para gjykatës së rrethit dhe për të u la vendimi me 30 ditë burg
Durrës Avokati Vangjel Muzina dje nuk ka qenë në pozicionin e tij të zakonshëm, por ka qenë në bankën e të akuzuarve. Tashmë mbi të rëndon akuza për përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike dhe fyerjes së gjyqtarit dhe dje është zhvilluar seanca për rivlerësimin e masës së arrestit, seancë kjo e drejtuar nga gjyqtari Astrit Faqolli. Akuza përfaqësohej nga prokurori Arjan Ndoja, i cili ka kërkuar për 64-vjeçarin masën e sigurisë burg pa afat.
Mbrojtja
I pandehuri Muzina përfaqësohej nga avokati i tij Idajet Beqiraj, i cili e ka quajtur të pavlefshëm arrestimin e 64-vjeçarit, pasi është quajtur “arrestim në flagrancë”, gjë e cila nuk është e vërtetë, pasi në momentin e prangosjes ai nuk ka qenë duke konsumuar ndonjë vepër penale. Me të njëjtat fjalë është mbrojtur dhe avokati Muzina, i cili ka pohuar para togave të zeza se arrestimi i tij ishte i jashtëligjshëm. “Unë nuk mund të shpjegoj arsyen se përse prokurori i çështjes e ka ndryshuar akuzën, pasi para përcjelljes së dosjes për në gjykatë ai ka kërkuar masën e sigurisë arrest shtëpie, ndërsa një gjë të tillë e ndryshoi kur erdhi në këtë seancë. Një gjë e tillë është ndryshuar për shkak të situatës së rënduar që ekziston pas vrasjes së gjyqtarit të Vlorës. Por unë nuk e kam kërcënuar gjyqtarin Fejzo Hysi”, ka thënë ai para gjykatës. Më tej avokati Muzina ka pranuar se mes tij dhe gjyqtarit kishte pasur një bisedë telefonike, por në asnjë rast unë nuk e kam përmendur emrin e gjyqtarit të vrarë në Vlorë apo ta kërcënoja atë. “Ne kemi pasur me njëri-tjetrin një konflikt për çështje femrash dhe për këtë doja të sqarohesha me të. Asnjëherë nuk e kam kërcënuar në lidhje me gjyqet”, ka vijuar ai. Edhe pasi dëgjoi pretendimet e të dyja palëve, gjyqtari i çështjes ka dhënë masën e arrestit me 30 ditë burg.
Arrestimi i avokatit
Vangjel Muzina, 64 vjeç, me profesion avokat është arrestuar në flagrancë në qytetin bregdetar menjëherë pas verifikimit se telefonata kërcënuese drejtuar një prej gjyqtarëve më të njohur të Durrësit, Fejzo Hysit, 57-vjeçar, ishte bërë nga telefoni i tij. Prekja e interesave monetare ka shtyrë drejt një kërcënimi që nuk është ndalur vetëm te kanosja me ekzekutim dhe një fund të ngjashëm me gjyqtarin e ndjerë Skerdilajd Konomin, por ka vijuar me ofendime dhe aludime që cenojnë gjithashtu integritetin moral të gjyqtarit dhe krijuar klimën e pasigurisë në ushtrimin korrekt të detyrës. Një kërkesë e refuzuar për mosvendosjen në afat të vendimit për ankimim dyshohet nga gjyqtari i kërcënuar se është shkak i telefonatës që prishi qetësinë, duke e bërë të ndihet seriozisht i rrezikuar. Atmosfera dhe pasiguria e krijuar mes togave të zeza është shfrytëzuar nga avokati Vangjel Muzina për të ushtruar presion mbi gjyqtarin që njihet në Durrës për dhënien e shumë dënimeve me burgim të përjetshëm, përfshirë këtu edhe gjykimin e Tan Kateshit dhe bandës së tij. Muzina nuk e ka pritur mirë refuzimin e mëparshëm verbal të gjyqtarit Hysi lidhur me mosvendosjen në afat të vendimit për ta kthyer atë në një vendim të formës së prerë që mundëson ekzekutimin e menjëhershëm, rrjedhimisht marrjen e shpejtë të dëmshpërblimit në para për përfituesit e sigurimit të jetës pas vdekjes së viktimës. Hysi nuk ka vonuar ta raportojë në polici telefonatën kërcënuese, e cila ka vijuar me arrestimin e avokatit.