E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryegjyqtari i Vlorës: Unë, në bulevard kur shpërtheu makina, të gjenden autorët

Kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj, pohon se ka dyshime që tritoli mund të jetë vënë tre ditë më parë në makinë. “U shqetësova nga shpërthimi në qendër të Vlorës. Ishte e paimagjinueshme kur mësuam se ishte vrarë Skerdilajdi”

Kreu i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj, ka qenë një ndër dëshmitarët e ngjarjes tragjike, ku mbeti i vrarë gjykatësi Skerdilajd Konomi. Malaj ka rrëfyer momentin kur ka dëgjuar shpërthimin, pasi ka qenë duke kaluar në bulevardin e qytetit me automjetin e tij. “Dëgjova shpërthimin, ndalova për pak sekonda i habitur nga zhurma e madhe dhe i shqetësuar njëkohësisht. Menjëherë kam ardhur në punë, duke u treguar kolegëve se si ka mundësi që në mes të qytetit të ndodhë diçka e tillë, një shpërthim i tillë. Gjithmonë më shkonte mendja te larja e hesapeve mes personash me veprimtari kriminale’,- është shprehur kreu i Gjykatës së Vlorës, i cili është shprehur se vetëm më pas është informuar se viktimë e shpërthimit kishte mbetur gjyqtari Skerdilajd Konomi. Malaj tha në një intervistë për “Vizion +” se shteti duhet të reagojë sa më shpejt në zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Sipas tij, dyshohet se tritoli mund të jetë vënë që tri ditë para në automjetin e Skerdilajdit dhe Malaj është shprehur se strukturat shtetërore dështuan në parandalimin e vrasjes, por më e rënda do ishte sikur të dështonin dhe në zbardhjen e ngjarjes dhe autorëve. “Asnjë prej nesh as e besonte dhe as donte ta besonte një gjë të tillë, sepse ishte krejt e paimagjinueshme. Fakti që shteti duhet ta sigurojë këtë mbrojtje është thelbësore. Në qoftë se një gjykatës trembet, ai nuk do të japë drejtësi dhe mosdhënia e drejtësisë në fund të fundit është kosto mbi qytetarin. Institutet që merren me sigurinë e shtetarëve dështuan në rastin konkret, sepse shërbimet përkatëse të parandalimit të krimeve nuk mundën të parandalonin dhe aq më keq pastaj, që nëse krimi kryhet dhe nuk zbulohet kjo është më e keqja pastaj’,- është shprehur Malaj. Hetimet për gjykatësin e vrarë Skerdilajd Konomi ende nuk kanë nxjerrë në dritë një pistë favorizuese për zbardhjen e autorëve, ndërsa të gjitha përpjekjet e hetuesve janë fokusuar te motivet e bazuara mbi konfliktet e pronës. Burimet e grupit hetimor kanë konfirmuar se janë duke përdorur metodat speciale të hetimit tashmë që përpjekjet disaditore për kapjen në befasi të autorëve të dyshuar kanë dështuar. Konomi nga ana e tij duket se nuk ka informuar asnjë të afërm të tij apo shok për ndonjë kërcënim konkret të bërë në drejtimin e tij dhe ky fakt duket se ka shtuar edhe më tej “mjegullën” mbi qarkun e të dyshuarve për këtë vrasje makabre. Hetuesit janë duke verifikuar të gjitha të dhënat në lidhje me konfliktet e pronës, por duket se edhe pista e pronave ofron shumë pak prova konkrete, ndërsa problematika e pronave përfshin dhjetëra të përfshirë, pasi betejat gjyqësore të Skerdilajdit për pronat përfshinin mijëra hektarë tokë pranë detit në Gjirin e Lalzit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›