Arrestohet xhaxhai, bënte “lojëra” seksuale me mbesat e mitura
Policia e Korçës ka arrestuar 34-vjeçarin Mikel Zëmblaku, pas një kontrolli mjekësor të ushtruar ndaj vogëlusheve 4 dhe 6 vjeçe
Korçë Pranga 34-vjeçarit, kreu vepra të turpshme me dy mbesat e mitura. Duket si e pazakontë, por xhaxhai i dy vogëlusheve 4 dhe 6 vjeç i ka ngacmuar seksualisht vajzat e vëllait të tij. Ka qenë nëna e vajzave, e cila pas debateve të shumta me bashkëshortin, por dhe me familjarë të tjerë, ka kërkuar ndërhyrjen e forcave të policisë. Ajo ka denoncuar rastin, ndërsa pas hetimeve paraprake uniformat blu kanë bërë të mundur arrestimin e autorit të ngjarjes. Juliana Zëmblaku, 26-vjeçare, është larguar prej afro katër ditësh nga shtëpia bashkë me fëmijët e saj, ndërsa ka gjetur shpëtim te policia, e cila jo vetëm e ka besuar, por ka reaguar në kohë për të çuar në burg 34-vjeçarin Mikel Zëmblaku, banor i lagjes 10 të qytetit, njëherësh xhaxhai i dy vajzave dhe kunati i saj. I arrestuari i policisë në mënyrë të vazhdueshme vepronte ndaj dy vogëlusheve, por në mënyrë të veçantë ndaj më të voglës vetëm 4 vjeçe. Ai gjente rastin kur vajzat ishin jashtë vëmendjes së prindërve dhe ata nuk ishin prezentë, për t’i mbyllur në një dhomë dhe për të kryer vepra të turpshme me to. Madje, vogëlushet S. Zëmblaku 6 vjeçe dhe G. Zëmblaku 4-vjeçare ishin me shenja në trup, ndërsa të tmerruara kërkonin që mos e shihnin më me sy xhaxhain mostër që abuzonte me to duke ushtruar edhe dhunë. Vogëlushet qanin duke i kërkuar ndihmë nënës së tyre, ndërsa rasti i fundit është regjistruar gjatë javës së kaluar. Juliana Zëmblaku ka rrëfyer në polici, por dhe për gazetën se pas këtij rasti dhe pas mënyrës sesi i janë përgjëruar fëmijët e saj t’i ndihmonte për t’i larguar nga pedofili, ka vendosur të zgjidhë problemin. Mikel Zëmblaku, bëjnë të ditura burimet zyrtare të policisë në Korçës, akuzohet për veprën penale “Vepra të turpshme”. Ndërkaq vogëlushet janë duke u trajtuar nga një psikologe, teksa i janë nënshtruar një kontrolli të imtësishëm mjeko-ligjor, nga i cili janë konstatuar shenja dhune në trup.
A folët me bashkëshortin tuaj para se të denonconit kunatin?
Burri më rrahu dhe më kërcënoi me jetën, ndërsa ma kërkoi të mos i përsërisja më këto fjalë se do e kisha punën pisk. Duke menduar për gjëra edhe më të rënda, vendosa të marr vajza e mia dhe të largohem nga shtëpia, duke shkuar në polici dhe denoncuar. Nuk mund të isha më e qetë, ndërsa vajzat ngriheshin duke qarë nga gjumi çdo natë dhe kërkonin ndihmë. Është shumë e tmerrshme ato që më panë sytë. Të gjitha fjalët që më kanë treguar vajzat e mia janë të vërteta dhe jam duke luajtur mendsh.
Si i mashtronte vajzat?
Ai u kërkonte vajzave, duke i gënjyer, të luajmë doktorash dhe më pas kryente ato veprime që nuk mund t’i imagjinoj. Ai i mbulonte në krevat me batanije dhe futeshin poshtë batanijes të tyre. Në një rast kam dashur t'i zbuloj, kurse gjyshja thoshte leri se po luajnë. Kur i mora vajzat t'i laja, ato më treguan gjithçka, megjithëse u bëra një kontroll në të gjithë trupin.
Çfarë keni vendosur të bëni tani, do të ktheheni te shtëpia e bashkëshortit?
Kam 4 ditë që kam ikur nga shtëpia, familja ime është shumë larg, në Tropojë, i kam të varfër nuk më ndihmojnë dot. Nuk kam ku të fle, ku të rri me vajzat e mia. Uroj kush ka zemër të më ndihmojë
Irena Vreto