E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie në korrent vdes 3-vjeçarja

Fier Një vogëlushe trevjeçare ka ndërruar jetë në orët e mbrëmjes së enjte në rrethin Fier. Xh. Dervishi, kështu quhet fëmija nga fshati Zharrëz, komuna me të njëjtin emër, është goditur nga rryma elektrike teksa ka qenë duke luajtur në njërën nga dhomat e banesës së saj. Fëmija është gjetur pa ndjenja nga prindërit dhe të afërm të tjerë. Këta të fundit me automjetin e tyre e kanë dërguar fëmijën për në mjediset e spitalit civil të qytetit Fier. Ndërhyrja e mjekëve dhe bluzave të bardha ka qenë e menjëhershme, fëmija është futur në sallën e operacionit, ndërsa për më shumë se një orë mjekët kirurgë dhe kardiologë kanë luftuar për të mbajtur në jetë vogëlushen. Por gjithçka ka rezultuar e kotë. Goditja e rrymës elektrike kishte shkaktuar dëmtime të rënda, sidomos në zemrën e trevjeçares e si pasojë fëmija ka ndërruar jetë. Dhimbja ka qenë tepër e madhe mes të afërmve të shumtë që kanë pritur me ankth në dyert e repartit të kirurgjisë, pranë sallës së operacioneve. Ata janë shoqëruar më pas nga forcat e policisë jashtë spitalit, ndërsa trupi i pajetë i fëmijës është dërguar fillimisht në morgun e qytetit dhe më pas është tërhequr prej prindërve. Fëmija ishte vajza e parë e çiftit Dervishi. Babai i saj Shpëtim Dervishi dhe familja e tij kishin zbritur prej disa vitesh nga fshati Gjinoqarrë, komuna Ruzhdie, në fshatin Zharrëz.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›