E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Shkupit shpall të vdekur zyrtarisht Remzi Hoxhën

SHKUP- Zbardhet vendimi i Gjykatës së Shkupit për shpalljen të vdekur të Remzi Hoxhës. Biznesmeni shqiptaro-maqedonas u mor peng më 21 tetor 1995 në Tiranë, u torturua dhe më pas u zhduk pa gjurmë. Për zhdukjen e Hoxhës akuzohen tre ish-shikasit, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, të cilët po përballen me Gjykatën e Krimeve të Rënda. Prokurori i çështjes 'Remzi Hoxha', Xhevat Hana, kërkoi nga gjykata që përmes letërporosisë, të merrej nga autoritetet maqedonase vendimi i Gjykatës së Shkupit që kishte shpallur të vdekur Remzi Hoxhën në vitin 1995.

Në këtë mënyrë, prokuroria tenton të provojë në procesin ndaj tre ish-shikasve se biznesmeni Hoxha ka vdekur. Kjo për faktin se në procesin e parë në 2003-in, të pandehurit kishin ngritur pretendimin se Remzi Hoxha mund të ishte gjallë, për sa kohë që nuk ekzistonte asnjë akt që vërtetonte vdekjen e tij. Letërporosia mbërriti dje në gjykatë dhe me një vendim të 30 qershorit 2005, Gjykata e Shkupit me kërkesë të Sevdie Hoxhës, bashkëshortes së biznesmenit, e ka shpallur të vdekur Remzi Hoxhën.

"Sevdie Hoxha parashtroi propozim deri tek kjo gjykatë për shpallje të të zhdukurit Remzi Hoxha për të vdekur. Në propozimin e shkruar theksoi se bashkëshorti i saj ka punuar si drejtor dhe themelues i firmës 'Albatros' në Tiranë, Republika e Shqipërisë. Më datë 21.10.1995 ndërmjet orës …dhe 13/30 nga firma e tij është arrestuar dhunshëm nga persona të panjohur të cilët duke përdorur dhunë e kanë futur në veturën e tyre të udhëtimit. Është lajmëruar për ndihmë tek organet kompetente në Tiranë, si dhe në Interpol. Deri më tani nuk ka kurrfarë informate për të zhdukurin se është gjetur, e as ai nuk është lajmëruar. Pasi kanë kaluar më tepër se shtatë vite dhe nga i zhdukuri nuk ka kurrfarë lajmi e as të dhëna se dikush e ka parë, janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore për shpallje të të zhdukurit si të vdekur", - thuhet në vendim.
(m.a/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›