E Diel, 1 Nëntor 2026

Uniformat e policisë, Bizhga: Abuzuat me tenderin, Nishani: Zbatuam ligjin

TIRANE- Vijon në Kuvend interpelanca me ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, kërkuar nga deputeti Gazmir Bizhga, në lidhje me tenderin për uniformat e policisë së shtetit. Interpelanca me ministrin e punëve të jashtme, Edmond Haxhinasto, kërkuar nga deputetja Dade, u shty për seancën e ardhshme.

NISHANI: TENDERI I UNIFORMAVE ISHTE I HAPUR
Ora: 11:43 Ministri i punëve të brendshme, Bujar Nishani deklaroi se tenderi për uniformat e policisë ishte i hapur dhe u zhvillua në përputhje me ligjin.

“Të gjitha hapat e ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për uniformat e reja ishin konkurruese, transparente dhe në pëprputhje të plotë me ligjin. ”- tha Nishani.
Ministri theksoi se kontrata me kompaninë fituese duhet të realizohet në një afat 4-vjeçar, duke mos rënduar buxhetin e shtetit.

BIZHGA-NISHANIT: JEP LLOGARI PER UNIFORMAT E POLICISE
Ora: 11:27 Deputeti i Partisë Socialite, Bizhga i kërkoi ministrit Nishani të japë llogari për gjendjen në të cilën ndodhet policia shqiptare. Një nga problemet që ngriti ishte një tender i vitit 2009, që sipas tij la pa uniforma policinë e shtetit.

“Prej dy vjetësh policia pa unforma, e zbathur për të ndjekur krimin. Cilat ishin arsyet që Policinë e Shtetit nga një polici me uniformë të vetën, po e vishni me uniformë të re, me elemente italiane?”, tha Bizhga.

Deputeti i PS, akuzoi ministrin se elementet e uniformës së policisë janë të kopjuara, ndërsa shtoi se “Nishani është i vetmi ministër në Europë që nuk ka kompetenca për uniformat e policisë”.

Bizhga kërkoi më tej që Nishani të shpjegojë pse uniforma është miratuar në vitin 2009 dhe ngjyra e saj në vitin 2011. “Ju dogjët fondin për uniformën e policisë në vitin 2009. Ku shkoi ky fond i taksapaguesve shqiptarë?”, tha Bizhga më tej.

NIS SEANCA E KUVENDIT
Ora 11:00- Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sot rreth orës 10:30 punimet e seancës plenare të radhës me ratifikimin e dokumentit të amendimit numër një të marrëveshjes së ndihmës ndërmjet qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së SHBA-së "Për qeverisje të drejtë dhe demokratike, investimin në njerëz dhe rritjen ekonomike".

Kuvendi i Shqiperisë miratoi propozimet e kryetarit të grupit kuvendor socialist për disa ndryshime në komisionet parlamentare. Deputeti Ditmir Bushati do të zërë vendin e Ermelinda Meksit në krye të komisionit parlamentar të integrimit. Deputeti Marko Bello do të kalojë nga komisioni parlamentar për edukimin në komisionin e integrimit, ndërsa Paulina Hoxha do të zëvendësojë Bellon në komisionin për edukimin.

Interpelanca me ministrin e punëve të jashtme, Edmond Haxhinasto, për reformën në shërbimin diplomatik, kërkuar nga deputetja e PS-së, Arta Dade, u shty për seancën e ardhshme.

(ma.ar/er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›