Gjykata e Strasburgut: Gjyqësori ka probleme

Pjesë e konsiderueshme të fondeve të Këshillit të Ministrave deri në muajin qershor, do të shkojnë për pagimin e dëmshpërblimeve të ish-pronarëve. Qeveria, e detyruar nga Gjykata e Strasburgut, do të zgjidhë më në fund qesen për dhënien e lekëve të njërës prej çështjeve më të përfolura të pronësisë që ka marrë vendimin e formës së prerë. Po ashtu, sistemi gjyqësor ka marrë kritika të ashpra nga Gjykata Evropiane mbi zvarritjen e çështjeve të pronësisë. Konkretisht, Gjykata e Strasburgut ka kërkuar që të problemet e pronësisë nuk zgjidhen vetëm me kompensimin, por nëpërmjet krijimit të një mjeti juridik, për përshpejtim të procedurave gjyqësore. Për sa i përket vendimit e djeshëm të qeverisë, bëhet fjalë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për dëmshpërblimin në vlerën monetare të 49 mijë eurove për çështjen “Gjonçari dhe të tjerë kundër Shqipërisë”. Gjykata Evropiane për shkeljet e konstatuara për këtë çështje, obligoi shtetin të dëmshpërblejë ankuesit në vlerën e 7 mijë eurove për secilin nga trashëgimtarët. Pavarësisht se 7 pronarët do të tërheqin lekët brenda datës 20 qershor të këtij viti, Këshilli i Ministrave shpjegon në relacion se është e detyruar të ekzekutojë vendimin për këtë penalizim financiar. Kjo, për shkak se vendi ynë si palë në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, është i detyruar të ekzekutojë vendimet përfundimtare të gjykatës. “Afati që u lihet në dispozicion shteteve për marrjen e masave përkatëse lidhur me ekzekutimin e vendimeve është 3 muaj nga data kur ato bëhen përfundimtare”, thuhet në vendimin e qeverisë. Burimi i lekëve që do të shpërndahen për ish-pronarët do të jetë fondi i Këshillit të Ministrave.