Ruletë ruse në diskon e Kamzës

TIRANË-– Lopata e drunj, leva makine e deri tek pistoleta u përdorën gjatë një sherri mesnatën e para dy ditëve në një disko në qendër të Kamzës. Tre të rinj të shpallur në kërkim dhe një grua e plagosur rëndë është bilanci i një grindjeje, e kualifikuar më pas “vrasje me dashje, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”. Artan Allaraj, 21 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, mësohet se në bashkëpunim me Çlirim Koldashin, 24 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë dhe me Luan Pashkaj, 25 vjeç, lindur dhe banues në Kukës, u shpallën në kërkim për dy vepra penale, njëra prej së cilave dhe “armëmbajtje pa leje”. Burime të besueshme policore i thanë dje “Korrierit”, se rreth orës 12:30 të datës 4 maj, tre djemtë kanë ndaluar dy automjetet e tyre përpara diskos “Omega”. Kanë zbritur gjithë siguri dhe i kanë vënë pronarit të lokalit, 50-vjeçarit Halim Kuqi, pistoletën në gjoks. Fati i mirë i të kanosurit ka bërë që pistoleta tip “Beretë” të mos shkrepë. Në këtë moment kanë humbur sigurinë që të tre, çka ka bërë që pronari, i ndihmuar edhe nga truproja i tij, të ketë situatën në favor e së bashku të përpiqen të ndalojnë agresorët. Por ata nuk kanë mundur të llogarisin përgatitjen e parakohshme me mjete të tjera të djemve, të cilët përveç pistoletave, kanë qenë të pajisur me leva, drunj e shumë sende të tjera të forta. Këtu ka nisur edhe rrahja mes dy palëve, pronarit dhe njerëzve të tij, dhe tre të kërkuarve që janë përpjekur deri në fund për “fitore”. Pasi janë gjakosur e dërrmuar, në mesin e tyre është futur dhe gruaja e pronarit, 33-vjeçarja Tefta Vataj, e cila në tentativë për të marrë pjesë në rrahje, ka përfunduar poshtë gomave të makinës së Allarajt, i cili në ato momente ka tentuar të ikë më njërën prej makinave, tip “Benz 250”, ngjyrë gri dhe me targa të huaja. Të frikësuar edhe nga prania e patrullave të Komisariatit Nr. 5, Allaraj ka tentuar të ikë me shpejtësi. Në momentin që i ka futur marshin mbrapa makinës, ai ka futur nën rrota bashkëshorten e Kuqit dhe pas kësaj, jo vetëm që ai nuk ka ndaluar, por teksa ka tentuar që të ikë me shpejtësi, u përplas në një mur. Kjo ka bërë që tre kuksianët të braktisin makinat dhe të largohen nga vendi i ngjarjes, duke u shpallur kësisoj në kërkim nga policia. Ndërkohë që dy pistat kryesore rreth të cilave po punohet, janë borxhe të vjetra mes dy palëve, ose konflikti për një femër.