Infeksionet spitalore, shifra të larta në pavijonet e kirurgjisë
Infeksionet spitalore që marrin pacientët në spitalet tona kapin shifra të larta. Për rrjedhojë, këto infeksione mbeten rreziku kryesor për jetën e një pacienti pas kryerjes së një ndërhyrje kirurgjikale. Në qendrën më të madhe spitalore në vend, sallat e kirurgjive vazhdojnë të kenë probleme me infeksionet spitalore. Nga një studim që ka kryer sektori i kontrollit të infeksioneve spitalore në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” (QSUT), rreth 15-20 për qind e pacientëve preken nga infeksionet spitalore, ku numri më i madh vërehet në sallat e kirurgjisë me 38 për qind të rasteve. Sipas shefes së sektorit të kontrollit për infeksionet spitalore në
QSUT, Svetllana Bitincka, ndryshe nga e shkuara, prej një viti infeksionet spitalore po vihen re më shume në pavijone se në sallat e operacioneve. “Infeksionet spitalore që merr pacienti në spitalet tona kapin shifra të larta. Nga monitorimi ynë mujor në pavijonet kirurgjikale infeksionet
spitalore përbejnë 38% të rasteve dhe krijojnë rrezikshmëri 2 herë më të lartë për vdekje. Infeksionet spitalore merren pas 48-72 orë qëndrimi në spital”, - u shpreh Bitincka. Ndërsa drejtori i Qendrës për Akreditimin e Shërbimit Shëndetësor, Isuf Kalo, ka deklaruar gjatë konferencës kombëtare për infeksionet spitalore, pikat e dobëta ku duhet të ndërhyhet për të reduktuar numrin e tyre. Sipas tij, mungesa e një strategjie kombëtare për parandalimin e infeksioneve spitalore, neglizhenca e personelit mjekësor dhe mungesa e investimeve janë shkaqet që çojnë në shifrat e larta të infeksioneve spitalore në të gjitha spitalet publike të vendit.
15 Maj 2010