Gjykata e Tiranës, pritet shqyrtimi i disa çështjeve për trafikun e narkotikëve
TIRANË- Dy muajt e fundit në Gjykatën e Krimeve të Rënda u regjistruan për shqyrtim gjyqësor nga organi i prokurorisë disa çështje të reja penale, përgjithësisht për persona të dyshuar për veprimtari kriminale në fushën e trafikut të drogës. Për disa nga këto çështje, proceset konsiderohen të hapura nga Gjykata, ndërsa për të tjerat pritet që të nisin në muajin shtator, kohë që përkon me rikthimin në punë nga pushimet e verës të pjesës më të madhe të gjyqtarëve. Kështu, nga ana e kësaj Gjykate ka nisur procesi në ngarkim të shtetasve Pëllumb Shkreli dhe Euart Kane, të akuzuar për trafikimin e një sasi prej 50 kilogram bime narkotike, e llojit marihuanë, e bllokuar në mars të 2009 në Gjirokastër. Gjithashtu, proces është hapur edhe për shtetasit: Fatbardh Dulla dhe Ilir Malaj, të cilët akuzohen se tentuan të trafikojnë nga Shqipëria në Greqi një sasi prej afro 7 kilogram heroine, e bllokuar në tetor të vitit të kaluar në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, në Gjirokastër. Një tjetër çështje në procedimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, është edhe ajo në ngarkim të shtetasve Kristian Rama dhe Flori Rama, të dy kushërinj, të arrestuar më 28 prill të këtij viti në Malësinë e Madhe me një sasi prej afro 164 kilogram bime narkotike e llojit kanabis sativa, e sekuestruar në cilësinë e provës materiale nga forcat e policisë lokale. Ndër të tjera, pritet të nisë edhe shqyrtimi i dosjes penale ndaj një 26-vjeçari nga Kukësi, që akuzohet për trafik të armëve luftarake. Bëhet fjalë për çështjen ndaj shtetasit Fatri Gërmizi, 26 vjeç, lindur në fshatin Bardhoc dhe banues në qytetin e Kukësit, i arrestuar më 14 tetor 2008 në Kukës me 5 copë pistoleta të tipit “Zastava” Miniblou. Këto çështje i janë bashkuar së fundmi listës me çështjet që ka dhe po procedon kjo Gjykatë për grupe apo eksponentë kriminalë, të akuzuar për krime të rënda si trafiqe ilegale, grabitje me armë, vrasje, etj.
26 Gusht 2009