Çështja “Dajti”, ndizet lufta në Facebook, policia vë komentuesit në monitorim
Tiranë – Askujt nuk i ka shkuar në mendje fakti se çështja “Dajti”, e cila përfundoi me ekzekutimin e 4 policëve dhe të 23-vjeçarit Ledion Mara, do të shkaktonte një tjetër betejë ka nisur në Facebook. Fansa të të riut që u vra gjatë operacionit policor në Durrës, por edhe persona të tjerë që përkrahin policinë, vazhdojnë të debatojnë me njeri-tjetrin. Shokët e Ledion Marës kanë shkuar deri aty sa të vënë një shpërblim prej 20 mijë eurosh për personin që do të siguroje një foto të forcave të policisë dhe të një polici me inicialet I. GJ. Detaje të tjera që flasin për skenarë hakmarrjeje, arratisje të dytë të Dritan Dajtit e kanë detyruar policinë të vendosë nën mbikëqyrje këtë faqe dhe të dërgojë në prokurori çdo material që hidhet aty, duke nisur kështu hetimet për kërcënime ndaj punonjësve të policisë. Mes mesazheve ka fjali të tilla si, “Shteti i ulet në gjunjë Dritan Dajtit. Ledion Mara është dëshmori i vërtetë”, apo “Shteti i vret të fortët megjithëse janë të pafajshëm, sepse kane frikë prej tyre, por kanë harruar një gjë, 1 bie 1000 ngrihen dhe do ju shkatërrojmë ju o shtet”. Në adresë të policisë lëshohen fjali te renda si, “Kështu do ta pësoni o policë. Doni të lëmë të qetë policët e vrarë, na lini të kujtojmë Ledionin, kjo është negociata”. Në total janë 440 persona të përfshire në këtë debat, i cili sipas policisë dhe prokurorisë, po sulmon direkt oficerë policie të caktuar dhe po ngre për herë të parë një grup në rrjet.
26 Gusht 2009