E Diel, 1 Nëntor 2026

Pollo: Abuzimet me pronat, sekuestruam 68 mijë m2 tokë

 

BLEDAR HOTI

Komisioni Qeveritar i Tokës shfuqizon dhjetëra e qindra tituj pronësie, duke përfituar sipërfaqe të “lira”, që shkon në 68 mijë metër katrorë. Zëvendëskryeministri Genc Pollo, njëkohësisht dhe kryetari i KQT-së, në një deklaratë për median bëri të ditur se në zbatim të ligjit “Për verifikimin e titujve të pronësisë” janë anuluar disa vendime të dhëna në kundërshtim me ligjin, duke iu hequr titujt e pronësisë të fituar në mënyrë të padrejtë. Vetëm në dy qarqe, si në Fier dhe në Vlorë, është përfituar një sipërfaqe prej 62 mijë metër katrorë si rezultat i anulimit të titujve të pronësisë. “Janë marrë shumë vendime nga ana e komisioneve vendore pranë prefekturave që kanë kompetencë për të shqyrtuar dhe për të përcaktuar se kur është abuzuar me ligjin 7501 dhe ku toka është zaptuar në mënyrë të kundërligjshme është revokuar titulli i pronësisë. Është arritur të merret nga zaptuesit një sipërfaqe e konsiderueshme toke në një sipërfaqe 68 mijë ha. Ka raste, siç është në fshatin Dermenas, ku toka e zaptuar ishte e parashikuar për varrezat e komunës. Tashmë toka iu është kthyer fshatit. Në Libofshë, shkollës iu kthye oborri i saj, pasi ishte zënë nga falsifikimet e bëra me dokumentet, duke ia tjetërsuar pronësinë”, tha Pollo. Këto sipas zëvendëskryeministrit janë raste skandaloze. Në prefekturën e Fierit titujt e sekuestruar shkojnë në 32 mijë m2, ndërsa në atë të Vlorës sipërfaqja e sekuestruar shkon në 30 mijë m2 dhe qarku i Beratit me 6 mijë m2. Ndërsa së shpejti Komisioni Qeveritar i Tokës pritet të marrë vendime për revokim të titujve të pronësisë në zonat bregdetare të vendit. “Në vëmendje do të jetë brezi turistik, për të cilin ligji parashikon që të shqyrtohet në mënyrë kapilare. Dhe sekretariati teknik së bashku me komisionet vendore të tokës, tashmë kanë verifikuar dyzina hektarësh që janë marrë në mënyrë të padrejtë duke abuzuar me ligjin 7501 dhe do të procedohet javët apo muajt e ardhshëm”, deklaroi Pollo.
Tokat për kompensimin e ish-pronarëve
Fondi i tokave që krijohet nga këto sekuestrime qeveria shqiptare ka ndërmend t’i përdorë për kompensimin fizik të ish-pronarëve. Sipas zëvendëskryeministrit Genc Pollo, do të ketë një vendim të dytë të qeverisë për të vendosur për fatin e këtyre tokave.
“Në një moment të dytë qeveria do të vendosë nëse këtë tokë të marrë nga zaptuesit do të vihet në dispozicion të komunës apo bashkisë, apo do të shkojë në fondin për kompensimin fizik të ish-pronarëve”, theksoi Pollo. Ligji “Për verifikimin e titujve të pronësisë” ka më shumë se një vit që ka hyrë në fuqi. Komisioni Qeveritar i Tokës, nëpërmjet komisioneve vendore të tokës që janë pranë prefekturave, ka si obligim të verifikojë titujt e pronësisë, kryesisht në zonat turistike. Por këto komisione vihen në lëvizje edhe mbi bazën e ankimeve të qytetarëve të ndryshëm. Në këto 18 vite në zbatim të ligjit 7501 kanë vepruar mbi 5 mijë komisione, ku mbi 450 mijë tituj pronësie të shpërndarë dhe ferma të krijuara në Shqipëri. Në ndarjen e këtyre janë konstatuar parregullsi. Ndërsa në zonat turistike mendohet se abuzimet me ndarjen e titujve të pronësisë shkojnë në 4-5 mijë hektarë. KQT-ja ka si detyrim që brenda tre viteve të realizojë procesin e verifikimit të titujve të pronësisë, duke shqyrtuar të gjithë pronat e shpërndara të ish-ndërmarrjeve bujqësore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›