E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohet një 67-vjeçar, shkatërroi pronën me zjarr



ELBASAN- Një 67-vjeçar është ndaluar pasi akuzohet për veprën penale, “Shkatërrim të pronës me zjarr”. Zëdhënësja e Policisë së Elbasanit, Valbona Begu tha dje se “procedimi penal ndaj 67- vjeçarit nisi pasi duke punuar në parcelën e tij në Gradishtë të Belshit ai ndezi një zjarr për të djegur disa barishte. Por zjarri u përhap në parcelat e tjera, ku dogji rreth 15 rrënjë ullinj në pronësi të shtetasit Tomor Uruçi”. Ngjarja ndodhi një natë më parë, por me ndihmën e zjarrfikëses zjarri u shua, bënë të ditur burimet e Policisë.

Zjarr në tregun e Kukësit, digjet dyqani dhe shtëpia

Kukës – Një zjarr i madh ka shpërthyer dje në mëngjes në zonën e tregut industrial të qytetit të Kukësit, në një dyqan, i cili ka përbërë një rrezik të madh për banorët e banesave përreth. Sipas të dhënave policore, zjarri përfshiu një dyqan me materiale sintetike, duke shkaktuar djegien e një ndërtese dykatëshe. Ai u shfaq si një rrezik edhe për banesat përreth këtij dyqani, si edhe banorët e tyre, prandaj policia ndërmori një aksion për evakuimin e menjëhershëm të tyre. Informacionet paraprake tregojnë se deri tani nuk ka pasur asnjë të lënduar nga zjarri, vetëm dëme materiale. Kanë qenë dy zjarrfikëse që kanë ndihmuar për shuarjen e zjarrit, por edhe forcat e policisë kanë dhënë ndihmën e tyre në këtë operacion, i cili për fat të mirë rezultoi pa pasoja për qytetarët e Kukësit.

Vodhi kafshën e punës së një fshatari, autori ndalohet nga policia

Ersekë – Forcat e policisë së Ersekës kanë ndaluar 26-vjeçarin Elidjon Çaushi, lindur dhe banues në këtë qytet. Sipas të dhënave policore, ndalimi i tij u bë pasi ky person dyshohet të jetë autor i vjedhjes së një kafshe në pronësi të Fitim Zotollit, banor i fshatit Arëz të Devollit. Kjo ngjarje ka ndodhur dy ditë më parë dhe pas një pune intensive hetimore është bërë i mundur zbulimi i autorit të saj. U kryen veprimet procedurale për veprën penale të “Vjedhjes” parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal dhe materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Korçës për hetime të mëtejshme.

26 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›