E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët jashtë, mash u njeh 500 diploma të huaja

 

Studentë shqiptarë në 54 vende të botës. Ministria e Arsimit ekuivalenton diplomat e 500 personave, që tashmë duan të punësohen në Shqipëri. Sipas këtij dikasteri kërkesat kanë qenë të mëdha. Vonesat që hasnin kandidatët tashmë nuk janë më problem me ngritjen e komisionit Ad-hoc. “Për disa vite, edhe për shkak të mungesave në dokumentacion apo mosardhjes në kohë të konfirmimit nga universitetet e huaja, që kanë lëshuar diplomat, u vërejt një vonesë e trashëguar që krijonte shqetësime te studentët dhe specialistët shqiptarë, që përfundonin studimet jashtë”, thuhet në deklaratën për mediat të MASH. Sipas këtij dikasteri ishin grumbulluar rreth 800 dosje, të cilat duhej të kalonin në Komision, çka me ritmet e zakonshme do të kërkonte përsëri një kohë të gjatë për shqyrtim. Për të zhbllokuar këtë situatë, me urdhër të ministrit të Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja në muajin maj 2009 u ngrit Komisioni Ad-hoc për njohjen e diplomave, i përbërë nga shtatë anëtarë. “Puna filloi me dosjet më të hershme 2006, 2007 dhe 2008, e më pas me dosjet e depozituara në vitin 2009. Deri më 20 gusht 2009 Komisioni Ad-hoc ka kaluar në komision dhe ka shpërndarë mbi 500 certifikata”, nënvizon ministria. Sipas specialistëve të saj, ky numër ndryshon nga dita në ditë për shkak të diplomave të reja që jepen pothuajse çdo ditë. Komisioni ka marrë detyrën që brenda muajit  shtator të gjithë aplikantët të marrin certifikatat e njohjes, nëse dosja e tyre është e plotësuar me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.“MASH fton të gjithë aplikantët të konfirmojnë nëse dosjet e tyre të dorëzuara në Sektorin e Njohjes së Diplomave i kanë të gjitha dokumentet e kërkuara dhe njëkohësisht të tërheqin certifikatat të gjithë ata për të cilët procesi i njohjes ka përfunduar”, saktëson deklarata. Deri tani, rezulton që numri i vendeve ku studentët shqiptarë kanë kryer studimet universitare dhe pasuniversitare është 54. Ndër ta kryesisht në Itali, Greqi, Bullgari, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Angli, Maqedoni, Holandë, Austri, Francë, e shumë të tjerë. Një diplomë e huaj njihet në Shqipëri vetëm nëse ajo është njohur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, e cila lëshon certifikatën e Njohjes për këtë qëllim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›