E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata e Vlorës shtyn më 21 prill vendimin për Bollanon

Është shtyrë për në datën 21 prill seanca përfundimtare e gjyqit për kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano. Në seancën e sotme mbrojtja ka kërkuar shpalljen e pafajësisë së Bollanos, ndërkohë që akuza ka përsëritur dënimin me 1 vit burg dhe 5 mln lekë gjobë. 

VLORE- Eshtë zhvilluar në gjykatën e Vlorës seanca e rradhës në gjykimin e Vasil Bollanos, kryebashkiakut të Himarës. Në seancën e rradhës është dëgjuar pala mbrojtëse e përfaqësur nga avokati Petraq Currit, i cili ka kërkuar pafajsinë e Bollanos për cështjen në ngarkim të tij, heqja e tabelave në gjuhën shqipe nga Qeparoja në Himarë. Sipas Currit prokuroria e ka të pamotivuar akuzën e saj për konsum të veprës penale të shpërdorimit të detyrës dhe shkaktimit e dëmit material ndaj shtetit. Këtë të fundit avokati e justifikoi me magazinimin e tabelave pa u dëmtuar. Avokati i Bollanos e ka cilësuar prokurorinë si ksenofobe dhe të veshur me nota të theksuara nacionalizimi, fakt ky që u replikua nga prokurori i cështjes Sokol Malaj.
Malaj theksoi se nuk ka vend për shprehje të tilla në këtë gjykim pasi kombësia e Bollanos është deklaruar kombësi shqiptare gjatë marrjes në pyetje.
“Ky aludim gjatë gjykimit kur ne jemi përballë shtetsave me të njëjtën kombësi si e jona, është i pavend’’ ka nënvizuar Malaj.
Pala mbrojtëse ka argumentuar më tej se kryebashkiaku i Himarës Vasil Bollano nuk ka konsumuar asnjë vepër penale pasi toka ku janë vënë tabelat nuk është tjetërsuar në asnjë formë, dhe as ka ikur nga vendi, ndërsa tabelat e hequra nuk janë dëmtuar por janë të magazinuara. Pasi u dëgjua nga ana e gjykatës mbrojtja dhe replika e prokurorit lidhur me cështjen e ksenofobisë dhe nacionalizmit, gjyqtari i cështjes Shkëlzen Selimi vendosi të japë vendimin e detajuar në datë 21 prill, duke e konsideruar këtë seancë të mbyllur. Edhe këtë herë Bollano nuk u paraqit në seancë. (e.n/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›