Gjykata "fali" dy herë Astrit Bushin
Për të arrestuarin nga RENEA mëngjesin e së dielës, prokuroria kërkoi dy herë dënimin me 25 vite burg në vitin 2003
Vrasja e specialistit Balozi, në shenjë hakmarrjeje për vëllanë e vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me FNSH-në
TIRANË- Astrit Bushi, i njohur nga media spanjolle si "tmerri i VIP-ave" në Spanjë pas vitit 2001, në Shqipëri njihej si precedent penal që nga viti 1998, ku nga "pakujdesia" vrau shokun e tij të ngushtë, Dritan Lekën, në një nga lokalet e qytetit të Laçit e më pas me vrasjen e paprovuar, sipas gjykatës të efektivit të FNSH-së, Altin Balozi.
Sipas burimeve zyrtare pranë Prokurorisë së Laçit, mësohet se i arrestuari Bushi, që në vitin 1998 është marrë në hetim nga prokuroria, për shkak se, pas një dreke mes shokësh ka qëlluar shokun e tij të ngushtë, shtetasin Dritan Leka.
Hetimet e asaj kohe e vlerësuan si "vrasje nga pakujdesia", ndërsa me ndihmën e një të afërmi të viktimës që tërhoqi ankimin, i arrestuari Bushi i shpëtoi burgut. Dyshime për përfshirje në veprimtari penale të të arrestuarit nuk kishin të ndaluar këtu, pasi në qytetin e Laçit ai njihej si një nga "çunat e fortë" të këtij qyteti.
Sipas prokurorisë, emri i Astrit Bushit në institucionin e akuzës u regjistrua sërish si procedim penale më 20 tetor të vitit 2000, vetëm pak minuta pas përmbylljes së mitingut të Partisë Demokratike në Laç, për zgjedhjet lokale.
Në atë kohë, për të mbajtur nën kontroll dhe ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë publike gjatë zhvillimit të mitingjeve të ndryshme të partive, Ministria e Rendit kishte angazhuar edhe forcat ndërhyrjes së shpejtë (FNSH-së), që gjatë dhe pas mbylljes së mitingut patrullonin qytetet dhe vendet ku zhvilloheshin këto takime me zgjedhësit.
"Me datën 20 tetor 2000, rreth pasdites, një makinë fuoristradë "Mitsubishi", me ngjyrë vishnje, në të cilën ndodhej Astrit Bushi me vëllanë e tij, Agronin, si dhe dy persona të tjerë, po ecnin me shpejtësi në qendër të qytetit.
Forcat e FNSH-së u kërkuan të ndalonin, por mjeti, përkundrazi, rriti shpejtësinë duke dalë në trotuar, për t'iu shmangur fugonit të FNSH-së, e duke goditur në trotuar një vajzë 10-vjeçare, që pësoi lëndime të rënda trupore. Në këtë moment fillon ndjekja e tyre e madje mes tyre shkëmbehet edhe zjarr.
Nga shkëmbimi i zjarrit mes tyre mbeti i vrarë brenda fuoristradës vëllai i të arrestuarit Agron Bushi, ndërsa të pranishmit e tjerë në këtë makinë u larguan nga vendi i ngjarjes, duke e lënë makinën bashkë me trupin aty.
"Efektivët e FNSH-së e kanë dërguar trupin e pajetë në spital",- thanë burime nga prokuroria. Po atë natë, policia arrestoi Astrit Bushin në spital, ku kishte shkuar për të tërhequr trupin e vëllait të vrarë.
Në atë kohë, ndaj Bushit u ngritën akuzat e "prishjes së qetësisë publike" dhe "kundërshtim të forcave të rendit", duke u lënë i lirë me masën e sigurisë "detyrim për paraqitje", që mundi të arratiset.
Vrasja e Balozit
Në vitin 2001, konkretisht më 7 mars, Bushi kthehet në Shqipëri, ku është parë në Laç duke vëzhguar lëvizjet e agjentit të FNSH-së Balozi, të cilin më 8 mars 2001, rreth orës 19:30 minuta e qëllon nga një distancë dy metra me "Kallashnikov", duke e lënë të vrarë.
Në atë kohë, menjëherë pas vrasjes, Bushi, sipas prokurorisë, ka shkuar në varrezat e qytetit, duke shtënë në ajër me armë, si shenjë lajmërimi për larjen e gjakut. Pas vrasjes, Bushi është larguar nga Shqipëria.
Në shtator të atij viti, dosja në ngarkim të tij shkon në gjykatë, dhe pas pretencës së prokurorisë, Bushi dënohet me 25 vjet burg. Por, pas ankimit të vendimit të avokatëve, çështja kthehet për rigjykim, për shkelje procedurale, duke caktuar një trup tjetër gjykues.
Pas ripërsëritjes së pretencës me 25 vjet burg të prokurorisë, Bushi deklarohet i pafajshëm dhe çështja pushohet. Kjo me alibinë se i akuzuari nuk ka qenë në Shqipëri, në kohën e vrasjes.
Në vitin 2003, Gjykata e Laçit, por me gjyqtar të Gjykatës së Rrëshenit, e shpalli të pafajshëm Bushin për vrasjen e Bajlozit, duke e dënuar vetëm për "armëmbajtje pa leje" dhe falsifikim të dokumenteve", pasi në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan në atë kohë dy armë të tipit "Tomson", dy pistoleta, pesë kaseta me fishekë, dy patenta me foto të tij, por me emër tjetër dhe librezën e anëtarësisë së Partisë Demokratike në Laç.
Rrëmbimi dhe grabitja e producentit të famshëm spanjoll
TIRANË- "Vrasja" e kryer në Laç e efektivit të FNSH-së, bëri që i arrestuari, Astrit Bushi të largohet, duke iu fshehur drejtësisë në Itali, Spanjë, Belgjikë, Francë, Holandë e vende të tjera perëndimore.
Gjatë kësaj kohë, mësohet se Bushi, në bashkëpunim me persona të tjerë po shqiptar kishin krijuar një "bandë" për kryerjen e vjedhjeve të personazheve të rëndësishme në vendet e ndryshme. Në dhjetor të 2006 Astrit Bushi bashkë me shokët e tij, kanë rrëmbyer, rrahur dh grabitur producentin dhe aktorin e njohur spanjoll Jose Luis Moreno, në Madrid.
Në atë kohë, pas identifikimit të tij, policia dhe media spanjolle e cilësoi shqiptarin si person tepër të rrezikshëm. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje ai u arrestua nga policia spanjolle për tu liruar më pas më 4 prill 2007 nga një zyrë policie e kryeqytetit të Spanjës në pritje të një vendimi të Gjykatës së Alcobendas që vendosi lirimin e tij nga një gabim të një shkrese.
Që nga ajo kohë, emri i tij figuronte në listën e më të kërkuarve ndërkombëtar, ku agjencia zyrtare e policisë Spanjolle në bashkëpunim me atë shqiptare e identifikoi dhe lokalizoi vendin ku ai fshihej, duke ia servirur këtë informacion policisë e cila me ndihmën e forcave speciale të RENAS-së bëri arrestimin e tij për vetëm tre minuta.
Në momentin e arrestimit në banesën e tij në Laç policia gjeti dhe sekuestroi një pistoletë model çek, "LUCER", kalibër 9 mm, me një krehër me 14 fishekë, si dhe materiale e sende të çmuara të vjedhura gjatë kohës së qëndrimit të tij në Spanjë.
PROVAT E PROKURORISË PËR BUSHIN
- Ishte vërtetuar ardhja e Astrit Bushit në Shqipëri, në Laç më 7 mars ku dhe ka fjetur në shtëpinë e një kushëriri të tij. Fakt ky i provuar me dëshmitë e çiftit ku kishte kaluar natën Bushi bashkë me një çantë të rëndë
- Telefonata e tij, drejtuar kushëririt dhe kushërirës, për mos përzierjen e tyre në punët e tij me drejtësinë, duke i kujtuar se "nuk ju duhet juve, kam ardhur apo jo në Laç një ditë para vrasjes"
- vizitën e tij në varreza ditën e vrasjes dhe të shtënat e kryera nga ai
- Tabulatet telefonike të komunikimit të tij me një shok, pas vrasjes së policit të FNSH-së
- Përshkrimi i dëshmitarëve okularë mbi të dhënat e karakteristikave të autorit të vrasjes së Altin Bajlozit që përshtateshin me të arrestuarin Bushi që ka kryer vrasjen pa maskë mbrëmjen e 8 marsit 2001