Uidhers: Zgjedhjet jo të lira, regres. S'ka sondazh amerikan
Ambasadori Xhon Uidhers, tha se zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë piketë e rëndësishme në zhvillimin demokratik të Shqipërisë
TIRANË- Një sondazh shqiptar, por i financuar nga Ambasada Amerikane, nuk mund të "shitet" si një produkt amerikan.
Ky është qëndrimi që ka mbajtur dje ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers, një ditë pas publikimit të një sondazhi nga dy qendra shqiptare, por të financuara nga USAID-i dhe Ambasada Britanike. "Kemi parë në media ditët e fundit referenca mbi një të ashtuquajtur sondazh amerikan.
Një gjë e tillë nuk ekziston. Qeveria Amerikane ofron burime financiare për mbajtjen e një sërë aktivitetesh me qëllim rritjen e kapaciteteve demokratike të Shqipërisë. Mbështetja që i kemi dhënë kësaj sipërmarrjeje vëzhgimi të zgjedhjeve është një shembull. Sondazhi në fjalë është një tjetër shembull.
Qeveria e SHBA-së ofroi burimet financiare për të mundësuar mbajtjen e një sondazhi shqiptar, jo të një sondazhi amerikan, jo të një raporti amerikan, jo të përfundimeve amerikane",- tha dje Uidhers gjatë ceremonisë së prezantimit të koalicionit shqiptar të monitorimit. Dy ditë më parë, në rrugë aspak transparente, iu servir medias një sondazh i përgatitur nga dy qendra shqiptare, por i financiar nga USAID-i dhe Ambasada Britanike.
"Qeveria e SHBA-së është e interesuar vetëm në një sondazh. Ai është sondazhi që do të mbahet në datën 28 qershor të këtij viti. Ata që do ta bëjnë këtë sondazh janë qytetarët shqiptarë dhe në vështrimin tim, ky është i vetmi sondazh që ka rëndësi",- sqaroi Uidhers
Mesazhi për zgjedhjet
Po aq i qartë në qëndrimin e tij, ambasadori amerikan ka qenë edhe kur u referua zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. "Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit do të jenë një piketë shumë e rëndësishme në zhvillimin demokratik të Shqipërisë. Këto janë zgjedhjet e para pas hyrjes së Shqipërisë në NATO.
Zgjedhje të lira dhe të ndershme që plotësojnë standardet ndërkombëtare do të tregojnë që Shqipëria po lëviz më pranë integrimit të plotë euroatlantik. Çdo gjë më pak se kaq do të ishte shenjë regresi",- tha Uidhers. Vëzhgimi dhe gjykimi ndërkombëtar është i rëndësishëm, por, ambasadori amerikan sqaroi se nuk është ai ruajtësi i procesit elektoral në një shoqëri demokratike.
"Integriteti i zgjedhjeve në një demokraci është në duart e qytetarëve të saj, qytetarëve që ofrojnë kandidaturat e tyre, qytetarëve që bëjnë fushatë për kandidatët dhe partitë, si dhe qytetarëve që votojnë. Prandaj është e rëndësishme që të dilni, të merrni kartat tuaja të identitetit dhe të votoni",- tha ai.
Duke folur për koalicionin shqiptar të vëzhguesve, Uidhers shtoi se kjo është trupa më profesionale dhe më e mirëbashkërenduar e vëzhguesve që Shqipëria ka pasur ndonjëherë. "Këto OJQ-të dhe 2500 vëzhgues, u janë nënshtruar orëve të tëra trajnimi dhe do të shpërndahen në çdo qendër votimi e numërimi në Shqipëri. Këta vëzhgues do të jenë të dallueshëm në qendrat e votimit dhe numërimit.
Të gjithë do të kenë akreditim dhe dokument identifikimi të lëshuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që do të jetë i dukshëm. Të gjithë do të kenë fasha në krah, ku lexohet "vëzhgues", të njëjtë me ato që shumë prej jush mbajnë sot. Këta vëzhgues të trajnuar do të përçojnë në kohë reale raportet në Tiranë përgjatë ditës së mbajtjes së zgjedhjeve. Ata do të punojnë të pavarur nga vëzhguesit ndërkombëtarë", -tha ai.