E Diel, 1 Nëntor 2026

Godet të atin me thikë, vuante nga sëmundje psikike

08/06/2009  Plagosja në Lubinjë të Gramshit

GRAMSH- Një 26-vjeçare ka goditur me thikë të atin në gjumë duke e plagosur në pjesën e qafës. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Lubinjë të komunës Tunjë rreth 10 km nga qyteti i Gramshit. Teksa flinte gjumë Dylber Salla 50 vjeç me banim në fshatin Lubinjë është goditur me thikë nga e bija, Selvije Salla. I plagosuri është dërguar me urgjencë në spital nga pjesëtarët e tjerë të familjes. Aty ai ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Mjekët i kanë mjekuar plagën dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm. Sapo është mësuar ngjarja efektiva blu kanë mbërritur në shtëpinë e Sallës ku kanë gjetur në një gjendje kritike vajzën 26-vjeçare. Sipas policisë, gjendja e saj psikike ishte e turbullt dhe sipas familjarëve vuan nga probleme mendore. Kjo e ka komplikuar punën e policisë për të mësuar arsyen mbi ngjarjen. Mësohet se vajza është shtruar në spitalin psikiatrik të Elbasanit ku do t’i nënshtrohet mjekimit. Jashtë rrezikut për jetën në Gramsh konsiderohet edhe babai i saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›