E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata i kthen "Vefa"-s borxhin e "Kamberi"-t

 

TIRANE - Gjykata kthen në llogari të ish-firmës piramidale "Vefa", rreth 820 milionë lekë që kishin përfunduar në arkën e piramidës tjetër, "Kamberi". Bëhet fjalë për një shumë që piramida "Kamberi" i kishte huajtur në formë kredie nga arka e "Vefa"-s para vitit 1997 dhe që nuk i kishte kthyer më pas. Pak ditë më parë gjykatësja kryeqytetase Fiqirete Mullaj ka shqyrtuar kërkesën e administratorëve të ish-piramidës "Vefa" për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit në ngarkim të "Kamberit". E thënë ndryshe, kërkesa e administratorëve të "Vefa"-s ka të bëjë me urdhërimin e përmbarimit për të bllokuar paratë e "Kamberit" në mënyrë që t'u kthehen qytetarëve që i humbën para vitit 1997. Kërkesa për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit u shqyrtua më datë 24 korrik, ndërsa argumentohet në vendim se gjykata pasi administroi provat, deklaroi të mbyllur hetimin gjyqësor, dëgjoi konkluzionet përfundimtare të kërkuesit, rezulton se: "Me vendimin me numër 31 datë 31 gusht 1999 të administratoreve të shoqërisë "Vefa" në administrim, është vendosur shpallja debitor e firmës "Kamberi", në shumën 82.700.000 lekë të reja. Ligji numër 8471, datë 8 prill 1999, ka parashikuar se këto vendime janë tituj ekzekutivë". Sipas gjykatës, administratorët e "Vefa" pretendojnë se nuk është bërë ekzekutimi vullnetar i këtij vendimi nga ana e firmës debitore, që në fakt edhe kjo është një nga piramidat. Duke u nisur nga ky fakt administratorët e "Vefa" janë drejtuar në gjykatë për të bërë të mundur ekzekutimin e detyrueshëm të këtij detyrimi. Gjykata bazuar në nenin 510/e të Kodit të Procedurës Civile, në të cilin është përcaktuar se: "Janë tituj ekzekutiv aktet e tjera që sipas ligjeve të veçanta quhen tituj ekzekutivë dhe ngarkohet zyra e Përmbarimit për ekzekutimin e tyre", ka vendosur të pranojë kërkesën, duke shpallur se lëshon e urdhrin e ekzekutimit për vendimin me numër 30, datë 31 gusht 1999, të administratorëve të pavarur të "Vefa" në administrim, për debitorin firma "Kamberi". Shpenzimet gjyqësore i janë ngarkuar kërkuesit, ndërsa është urdhëruar zyra e Përmbarimit e kryeqytetit, si institucioni kompetent për ndjekjen e procedurave të mëtejshme për këtë çështje.                                  fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›