E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përcillet Aquino, Presidentja e popullit

 

Mijëra filipinas kanë marrë dje pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-presidentes së tyre të parë femër, Corazon Aquino, e cila u nda nga jeta të shtunën në mëngjes, në moshën 76-vjeçare. Aquino njihet si “Presidentja e fuqisë së popullit” në këtë vend, pasi solli demokracinë rreth një çerek shekulli më parë, duke i dhënë fund dy dekadave të regjimit diktatorial. Njerëzit pritën në radhë të gjata për t’i dhënë lamtumirën e fundit asaj, megjithëse binte shi. Aquino ka shërbyer si presidente për gjashtë vite, pasi uli nga pushteti Ferdinand Marcos-in, në vitin 1986. Në pemët dhe rrugët e vendit, në kutitë postare dhe në krahët e tyre, njerëzit kishin vendosur shirita të verdhë, simboli i saj kundër regjimit të Marcos-it. Presidentja aktuale, Gloria Macapagal Arroyo tha se do të përfundonte shpejt vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara, për të marrë pjesë në funeralin e Aquinos. Arroyo ka vendosur 10 ditë zie kombëtare, për të nderuar presidenten simbol të Filipineve. Në një deklaratë të shtunën, pas lajmit të vdekjes së saj, Arroyo e quajti Aquinon një “thesar të kombit që ka ndihmuar vendin tonë për ditë më të ndritshme” (edhe pse Aquino gjatë viteve të fundit ka marrë pjesë në demonstratat e organizuara në rrugë kundër presidentes aktuale). Trupi i Aquinos u ekspozua për herë të fundit në “La Salle Green Hills”. Njerëzit e kanë vlerësuar Aquinon si një ikonë ndërkombëtare të demokracisë. Ajo njihej edhe për kontaktin spiritual në Filipine dhe për lidhjen më të fortë mes njerëzve dhe besimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›