E Diel, 1 Nëntor 2026

U denoncua i humbur, gjendet i mbytur në lumë

 

Etleva Delia 

Banorët e fshatit Brukë, të Laknasit në Tiranë, janë tronditur mbrëmjen e së premtes teksa kanë gjetur të mbytur në lumë, shumë pranë shtëpive të tyre, trupin e një personi që nuk rezultonte banor i fshatit. Kanë qenë fëmijët ata që e kanë parë të parët kufomën e kthyer përmbys në bregun e Lumit të Tiranës e më pas kanë lajmëruar familjarët e tyre. Komisariati numër 5 i policisë së Tiranës është lajmëruar nga Ramiz Stefa dhe Adeli Gjonllaku, banesat e të cilëve ndodhen më afër me vendin ku u gjet kufoma. Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, së bashku me ekspertë të kriminalistikës. Vetëm dy ditë pasi është bërë ekspertiza mjeko-ligjore, është bërë i mundur edhe përcaktimi i shkaqeve të vdekjes. Gjithashtu, verifikimet e një denoncimi që ishte bërë në fillim të javës në Komisariatin numër katër, për një 72-vjeçar të humbur, kanë bërë të mundur identifikimin e kufomës. Burime nga policia e kryeqytetit thanë se trupi i pajetë i gjetur në fshatin Brukë të Laknasit, i përket Rakip Mebos, person i deklaruar i zhdukur nga familjarët e tij, i cili vuante nga skleroza. Sipas policisë i moshuari mund të jetë mbytur në lumin e Tiranës dhe më pas rrjedha e lumit e ka dërguar deri në afërsi të Laknasit, ku ka ngecur në mbeturina dhe është gjetur nga banorët. Gjithçka sipas grupit hetimor ka qenë aksidentale, pasi gjatë ekspertizës mjeko-ligjore, ka rezultuar se vdekja e 72-vjeçarit ka ardhur nga asfiksia. Viktima nuk ka pasur asnjë shenjë dhunë, përveç disa dëmtimeve në kokë, që sipas ekspertëve kanë ardhur nga përplasja me objekte të ndryshme që mund të ketë pasur lumi. Fëmijët kanë qenë të parët ata që kanë parë në bregun e lumit, një burrë i cili ishte i kthyer përmbys. Nga frika ata nuk i janë afruar, por kanë lajmëruar banorët më të afërt me vendin e ngjarjes, në fshatin Brukë, në Laknas të Tiranës. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar fillimisht Ramiz Stefa dhe Adeli Gjonllaku, të cilët pasi kanë parë një trup që nuk lëvizte kanë lajmëruar menjëherë policinë. Sipas Adeli Gjonllakut, asnjëri nga banorët nuk e ka lëvizur trupin deri sa ka ardhur policia. "Na lajmëruan fëmijët se kishin parë një burrë në breg të lumit, të shtrirë përmbys dhe dyshonin se ishte i vdekur. Shkuam menjëherë aty dhe pamë që ai njeri kishte vdekur. Nuk e lëvizëm deri sa erdhi policia", tregon Gjonllaku. Më pas ai thotë se asnjë nga banorët e zonës nuk e njihte atë njeri dhe kishte shumë mundësi që trupin e tij ta kishte sjellë lumi dhe më pas ka ngecur në mbeturina.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›