E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbetet në burg emigranti, plagosi rojën e pishinave

 

TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje masën e sigurisë arrest në burg për 54-vjeçarin Sahit Dyberi, i arrestuar tre ditë më parë për plagosjen një të riu, që punonte si rojë në kompleksin e pishinave "Akuadrom". Para gjyqtarit të gatshëm të kësaj jave, 54-vjeçari nuk pranoi të jepte shpjegime, ndërsa avokati i zgjedhur prej tij kërkoi lirimin e menjëhershëm të klientit të tij për mungesë provash. Sipas prokurorit që kishte drejtuar hetimet paraprake arrestimi i 54-vjeçarit është bërë i mundur gjatë natës, duke u gdhirë e shtuna në afërsi të banesës së tij në Tiranë. Plagosja e të riut ndodhi rreth orës 19:30 të së premtes, tek kompleksi i pishinave "Akuadrom", pranë Liqenit Artificial, ku emigranti i sapokthyer nga Anglia ka qëlluar me pistoletë në këmbë 22-vjeçarin Mariglen Cani. I riu përfundoi në spital në gjendje të rëndë për shkak të hemorragjisë nga plaga me armë zjarri, por sipas mjekëve tashmë është jashtë rrezikut për jetën, duke qenë se e ka kaluar gjendjen e komës. Autori i dyshuar i krimit, Sahit Dyberi, u largua menjëherë nga vendi i ngjarjes me një automjet tip "Land Rover", për nga drejtimi i kodrave të Liqenit Artificial. Përfaqësuesi i organit të akuzës pohoi se shkak për ngjarjen ka qenë një motiv banal mes autorit dhe viktimës, ku dyshohet se autori i është drejtuar me fjalë fyese të plagosurit, duke thënë se i kishte parë gruan.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›