E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, digjen 15 magazina të tregut të shumicës

Dy zjarre të mëdha, të ndodhura në harkun e 2 orëve, kanë rënë dje në Vlorë dhe në Elbasan, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Zjarri i parë ka rënë mëngjesin e djeshëm në ish- zonën industriale të qytetit të Elbasanit. Ka qenë ora 10:30 e së shtunës, kur flakët kanë përfshirë ambientet e brendshme të Kombinatit të Drurit. Mësohet se zjarri ka përfshirë dy fuçi bitumi dhe flakët rrezikonin t‘u afroheshin depozitave të mazutit që ndodheshin aty pranë. Frika e ndonjë shpërthimi të mundshëm, dhe tymi i dendur që është përhapur në atë zonë, kanë shkaktuar panik te banorët përreth. Rojet kanë njoftuar menjëherë repartin e zjarrfikëseve, të cilët kanë arritur brenda pak minutash në vendin e lokalizuar. Me të mbërritur, zjarrfikësit kanë mundur të lokalizojnë shumë shpejt flakët. Rreth orës 11:15, forcat zjarrfikëse kanë izoluar flakët dhe disa orë më pas është bërë e mundur shuarja e plotë e tyre. Mësohet se në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes, si dhe për të evidentuar dëmin material, ndërsa nuk ka pasur të lënduar. Ndërsa në Vlorë zjarri ka rënë pak pas mesditës, në magazinat e tregut të shumicës. Ka qenë ora 12:30 kur është pikasur zjarri, i cili brenda pak minutash ka përfshirë një pjesë të madhe të magazinave që ndodhen në Jalli të Nartës, në hyrje të qytetit të Vlorës. Për pasojë janë djegur sasi të mëdha mallrash ushqimore, perime dhe fruta, si dhe materiale të ndryshme tregtare. Zjarri është parë fillimisht në një nga magazinat në qendër të këtij tregu, ndërkohë që flakët kanë përparuar shumë shpejt, duke rrezikuar ambientet e tjera që ndodheshin aty pranë. Të pranishmit, si dhe tregtarë të cilët ishin ende në punë, kanë njoftuar mjetet e zjarrfikëseve. Mbas ndërhyrjes së repartit të zjarrfikëseve, në disa prej ambienteve të njësive tregtare ka pasur dhe shpërthime nga bombolat e gazit që ishin për t‘u shitur. Gjatë përpjekjeve për fikjen e zjarrit është plagosur Përparim Biçaku, i cili është lënduar lehtë nga thyerjet e xhamit që i kanë rënë në kokë dhe në pjesën e shpatullës. Në ndihmë për fikjen e zjarrit ka shkuar dhe policia e rendit, e cila së bashku me repartin e zjarrfikëseve, kanë bërë të mundur vënien nën kontroll të situatës për 30 minuta, duke shmangur përhapjen e flakëve në zonën përreth. Nga përllogaritjet e para, dëmi i shkaktuar mund të jetë disa qindra mijëra euro. Sipas ekspertëve të policisë, mendohet se zjarri mund të ketë ardhur nga brenda ambienteve të magazinave, por nuk dihet ende nëse zjarri është shkaktuar aksidentalisht nga ndonjë shkëndijë elektrike, apo është i qëllimshëm. Policia po punon për të zbardhur shkaqet e rënies së zjarrit dhe përllogaritjen e plotë të dëmit të shkaktuar nga djegia e 15 magazinave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›