E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfiskohet vila e ish-drejtuesit të bashkisë

Merr kredi për të ngritur një biznes, ngelet pa shtëpi ish-drejtori i zyrës së shërbimeve në Bashkinë e Urës Vajgurore. Gjykata e Rrethit Berat ka ekzekutuar dje vendimin e Zyrës së Përmbarimit në lidhje me shlyerjen e debive që Haxhi Kapllani, ish-drejtues i Bashkisë së Urës Vajgurore, kishte akumuluar ndër vite, pas marrjes së një kredie bankare. Kështu, dje, në orët e para të mëngjesit, kjo gjykatë ka ekzekutuar një sërë vendimesh, ku një prej tyre ka qenë dhe ekzekutimi i vendimit për shlyerjen e detyrimeve ndaj bankës tregtare marrë nga familja Kapllani. Zyra e Përmbarimit, pas disa seancave gjyqësore ishte përpjekur ta bindte klientin të paguante detyrimin pa kamatën e vonesës, duke i lënë në dispozicion një hark kohor të favorshëm, por pa rënë në ujdi. Pas kësaj, dje është bërë ekzekutimi i vendimit duke ia sekuestruar gjithë pronën që ky shtetas kishte si garanci për shumën e marrë të të hollave. Familja Kapllani ka dorëzuar çelësat e vilës së saj, si dhe një plantacion me pemë frutore, që ndodhej pranë saj. I ndodhur para një situate të tillë, Kapllani ka kërkuar dhe një herë zbutjen e këtij vendimi, por kjo ka qenë e pamundur. Haxhi Kapllani, në vitin 1999, pasi kishte humbur një sasi të konsiderueshme parash në firmat piramidale, vendosi të merrte një kredi në një bankë private për të ngritur një biznes, me të cilin të mbante familjen e tij prej 6 personash. Kështu vendosi të merrte një shumë prej 10 milionë lekësh, të cilën do ta përdorte për ngritjen e një sere, si dhe një plantacioni me pemë frutore. Por, siç tregojnë të afërmit e Kapllanit, ndryshimi i çmimit të plehut, farave si dhe i naftës, ndikoi në dështimin e projektit të tij, që e kishte menduar fitimprurës. Ndërkohë, Kapllani emërohet drejtor në zyrën e shërbimeve në Bashkinë e Urës Vajgurore, ku punoi për disa vite. Por me të ardhurat mujore që merrte nuk kishte mundur të zbuste sadopak kredinë e marrë, pasi kjo rrogë nuk i dilte për të mbajtur familjen. Disa vite më vonë, Kapllani vendosi të emigrojë për të siguruar shumën e konsiderueshme që i detyrohej bankës, që shtohej me kalimin e viteve. Pas disa ndërhyrjesh në institucionet përkatëse, nuk u arrit marrëveshja për shtyrjen e afatit kohor dhe dje, pas disa seancash gjyqësore, gjyqtari Shyqyri Çobo ka bërë ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Përmbarimit, ku shuma e marrë është konvertuar me vilën e familjes Kapllani, si dhe një plantacion me drurë frutorë, duke e lënë këtë familje përfundimisht pa strehë dhe pa asnjë të ardhur. Burime nga zyra e kredive bëjnë me dije se pranë kësaj zyre janë paraqitur për ekzekutim 450 vendime të formës së prerë. Me gjithë punën e kryer, kjo zyrë ka ende shumë për të bërë, pasi kanë mbetur pa ekzekutuar edhe 300 vendime të formës së prerë për kreditë e pakthyera që nga viti 1993. Burimet nga kjo zyrë sqarojnë se deri në fund të muajit prill të vitit 2009 janë ekzekutuar rreth 80 çështje të tilla, që i përkasin Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK) të formës së prerë, ku në vend të traktorëve e mjeteve të tjera bujqësore janë sekuestruar pasuri të paluajtshme, si toka bujqësore, hangar, shtëpi, dyqane e objekte të tjera biznesi. Ndërsa janë ekzekutuar 70 vendime gjyqësore, për kredi të kthyera të bankave private, të barabartë me 600 milionë lekë. Por, burimet e Zyrës së Përmbarimit në Berat thonë se ende kanë mbetur pa ekzekutuar çështje gjyqësore që u përkasin borxheve të vështira, të mbetura që para vitit 1997, të cilat i janë adresuar ATK-së për t‘u kujdesur për kthimin e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›