E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushuesit "thahen" nga etja

Fundjava ka nisur me probleme në furnizimin me energji elektrike dhe ujë të pijshëm për një pjesë të zonës së plazhit të Durrësit. Që nga mbrëmja e së premtes, e deri dje në mesditë, zona midis Shkëmbit të Kavajës dhe Golemit ka pasur probleme me ndërprerjen e energjisë elektrike. Kështu, gjatë natës së të premtes, pushuesit janë përballur me terrin dhe vapën, për shkak të pamundësisë së vënies në përdorim të kondicionerëve dhe aparateve të tjera të ventilimit. Ndërkaq, drejtuesit e lokaleve të ndryshme të shërbimit në këtë zonë të bregdetit të Adriatikut ankohen për pasojat ekonomiko-financiare që sjell kjo situatë në aktivitetin e tyre. Por jo vetëm kaq, dëmtimi i produkteve që kërkojnë konservim frigoriferik dhe tendenca për të mos e nxjerrë jashtë qarkullimit mallin e dëmtuar, përbëjnë rrezik për pushuesit e shumtë në këtë sezon. Ndërkaq, shumë prej lokaleve u janë kthyer gjeneratorëve për të prodhuar energjinë e munguar. "Prishja e produkteve, si dhe shtimi i kostos për karburantin, janë shpenzime të cilat nuk i kishim parashikuar për këtë sezon, meqë një vit më parë nuk patëm probleme në furnizimin me energji elektrike", thotë pronari i një dyqani ushqimor dhe akulloresh, ndërsa tregon mbajtëset e akulloreve ku kanë ngelur vetëm lëngje të ngjyrosura. Lidhur me situatën e krijuar, burime nga filiali elektrik bëjnë të ditur se ndërprerja disa orëshe e korrentit është pasojë e mbingarkesës së rrjetit në këtë sezon të mbipopulluar, ku me rritjen e temperaturave është rritur ndjeshëm edhe konsumi i energjisë. Mbingarkesa është shoqëruar me shfaqjen e defekteve dhe për riparimin e tyre janë angazhuar brigadat e punës, por që duan kohë për të stabilizuar situatën. Një tjetër problem në plazh mbetet edhe mungesa e kanalizimeve të ujërave të zeza. E gjithë kjo zonë, që nga sektori i Plepave e në vazhdim drejt Kavajës, funksionon me gropa septike, të cilat krijojnë mjaft shqetësim për pushuesit. Edhe furnizimi me ujë në plazh, por edhe në qytetin e Durrësit, ka pasur probleme, gjë që ka shtuar pakënaqësinë te pushuesit dhe emigrantët e ardhur për pushime pranë familjeve të tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›